Ish-kampioni i botës në boks, Vitali Klitschko ka lënë pas kostumin e kryebashkiakut të Kievit dhe ka dalë në terren me petkun e ushtarakut, në mbrojtje të vendit nga agresioni rus.
Në një intervistë për median gjerman, Klitschko tregon se është gati të luftojë dhe të japë jetën për Ukrainën dhe tregon se roli i tij në këto momente është të organizojë mbrojtjen civile të kryeqytetit.
“Ne po përgatitemi në të gjithë Ukrainën me bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, do të japë urdhrin e luftës. Si ushtar, dikur jam betuar të mbroj vendin dhe tani jam gati të luftoj për atdheun”, u shpreh Klitschko.
Më tej, Klitschko kërkoi dhe ndihmën e vendeve të BE-së, e cila sipas tij në këto momente është më e nevojshme se kurrë.
Javët e fundit, Rusia ka vendosur trupa në kufirin me Ukrainën, çka ka shtuar frikën e një pushtimi të mundshëm. Moska e mohon këtë dhe akuzon autoritetet në Ukrainë për provokime.
Klitschko bën thirrje për ndihmë urgjente ndërkombëtare. “Ne jemi vend evropian, i cili ka nevojë për mbështetjen evropiane më shumë se kurrë”, shprehet ish-boksieri Klitschko, njëkohësisht kryebashkiak i Kievit që nga viti 2014.
Sipas të dhënave që ka NATO-ja, Rusia ka vendosur 75 000- 100 000 ushtarë pranë kufirit me Ukrainën.