Këtë vit të ri Akademik, nxënësit nuk do të kenë tre shanse për të pritur për degën e preferuar që më pas të bëjnë regjistrimin, por vetëm dy. Kjo praktikë do të hyjë në zbatim këtë vit të ri akademik që nisë me 2 tetor. Gjithashtu do të kërkohen më pak dokumente se vitet e kaluara për t’u regjistruar.
Ministria e Arsimit sqaron se ky vendim do të shkurtojë kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete.
“Ulja e numrit të raundeve të regjistrimit nga 3 në 2 shkurton kohëzgjatjen e procedurave për aplikim dhe regjistrim në universitete. Viti i ardhshëm akademik do të fillojë më 2 tetor 2023 dhe shkurtimi i një raundi është në funksion të fillimit të procesit të mësimdhënies. Pas raundit të dytë, në programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira pranimi, kandidatët që kanë aplikuar në U-Albania mund të vijojnë të regjistrohen drejtpërdrejtë në IAL deri në plotësimin e gjitha kuotave”, njofton Ministria e Arsimit.
Ndërkohë, ndryshime ka edhe për kandidatët me diplomë të huaj të shkollës së mesme, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo të huaj.
“Procedura të barabarta aplikimi dhe regjistrimi për të gjithë kandidatët me diplomë të huaj të shkollës së mesme, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo të huaj.
Kandidatët e regjistruar me diplomë të huaj kanë detyrim njohjen dhe njehsimin e diplomës brenda datës 30 prill të vitit akademik vijues, për t’u pajisur me numër matrikullimi përpara fillimit të sezonit të dytë të provimeve”, përfundon njoftimi.