Ndryshe nga pjesa e tjetër e globit që feston ardhjen e Vitit të Ri mes datës 31 Dhjetor dhe 1 Janar, Viti i Ri kinez takon në data të ndryshme çdo vit, pasi bazohet në kalendarin hënor. Dita e Vitit të Ri kinez bie gjithmonë mes datave 21 Janar deri më 20 Shkurt.
Në Kinë, kjo është festa me e rëndësishme e gjithë vitit. Sipas ciklit kinez 12-vjeçar të zodiakut të kafshëve, viti kinez që fillon në 2019 është viti i Derrit.
Çdo vit zodiak kinez fillon në ditën e Vitit të Ri.
Sipas astrologjisë aziatike, viti i lindjes dhe kafsha që ky vit përfaqëson, përcakton disa tipare të personalitetit. Festimet shumëngjyrëshe që bëhen në Kinë për Vitin e Ri, njihen gjithashtu si “Festivali i Pranverës”.
Burbuqe Spahiu, drejtore ekzekutive e shoqatës social-kulturore “ALB-CHINA”, e cila ka jetuar për mbi 12 vite në Kinë, ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan së bashku me një vajzë kineze, e cila ka zgjedhur emrin Bela, por emri i saj i vërtetë është Xinyu Wang.
Gjatë emisionit të ftuarat treguan më shumë detaje rreth Vitit të Ri kinez dhe shenjës së derrit.
“Përgatitjet për Vitin e ri kinez fillojnë një muaj përpara sepse quhet “Festa e Pranverës”. Ndizen lanternat e kuq dhe qëndrojnë të ndezur 2 javë. Pjata që nuk duhet të mungojë në tryezë për Vitin Ri kinez është një pjatë e ngjashme me raviolit, përgatiten me peta dhe mbushen me mish ose peshk. E veçanta është se futen monedha. Ky ushqim shënon bashkimin dhe kënaqësinë.
Viti i derrit është nga më të famshmit në Kinë. Në vitin 2007 ka qenë viti i derrit të artë që vjen një herë në 60 vjet dhe sipas tyre në atë vit lindin lidera. Rrugëve shihje vetëm gra kineze shtatzëna. Sipas parashikimit, 2019-ta do të jetë vit i mbarë për të vënë para. Shenja e derrit e tërheq suksesin në të gjitha sferat e jetës”, tha Spahiu.