Pushimet verore mbaruan dhe këtë të hënë nxënësit janë rikthyer në shkollë. Rreth 29 mijë fëmijë pritet ta provojnë për herë të parë ndjesinë e bankave.
Në lidhje me këtë rast të veçantë ka reaguar edhe Presidenti Bajram Begaj. Ai u uron suksese nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Në veçanti urimi i kreut të shtetit shkon për ata që hyjnë në klasë të parë.
“Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë! Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes”, tha Begaj.
Për nisjen e shkollës ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Evis Kushi. Ajo ka shpërndarë një video ku nxënësit këndojnë himnin e flamurit dhe u uron atyre suksese.
“Me himnin e flamurit, që këndohet sot nga të gjithë nxënësit në mbarë vendin, për të çelur siparin e vitit të ri shkollor, e që do të vijojë të këndohet çdo të hënë në të gjitha shkollat tona, ju uroj suksese e vit të mbarë”, shkruan Kushi.
Në vitin e shkuar shkollor pati të regjistruar në arsimin parauniversitar rreth 433 mijë nxënës dhe fëmijë, rreth 21 mijë më pak se në vitin shkollor 2021-22.