Kryetari i PD, Sali Berisha ka uruar fëmijët që ulen për herë të parë këtë të hënë në bankat e shkollës.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Berisha thotë se shkolla këtë vit hapet në një kohë që në vendin tonë ka rënë ndjeshëm cilësia e arsimit dhe se gjatë 11 viteve, është ulur numri i nxënësve në shkolla nga 610 mijë në 350 mijë.
Kryedemokrati shkruan se në këtë vit shkollor në vendin tonë janë mbyllur 730 shkolla, ndërsa 90% e institucioneve arsimore janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm. Më tej kreu i demokratëve shprehet se fondet që duhet të investoheshin në arsim janë vjedhur, teksa mbi 120 mijë nxënës do të mësojnë me turne, dhe mbi 50 000 nxënës që do të mësojnë në klasa kolektive.
Për Berishën, mësuesit në vendin tonë janë më të keqpaguarit në rajon. Ai u bën thirrje atyre që të mbështesin programin e PD për arsimin dhe të bashkohen në protestat e opozitës.