Duke menduar se sa e komplikuar është që ky Liverpul të fitojë me 3 gola diferencë në Madrid, është e lehtë të arrihet në konkluzionin se skuadra e Jurgen Klopp është në një krizë të thellë, gati e paparë në ‘Anfield’.
‘Annus horribilis’ i të kuqve flet për një vend të 8-të në kampionat, me mundësi minimale për të qenë në Champions sezonin tjetër. Nga F.A. Cup dhe Kupa e Ligës kjo skuadër është eliminuar shpejt, përkatësisht nga Brajtoni dhe Mançester Siti. Dhe nga Champions po del që në fazën e 1/8-ve, duke përjashtuar ndonjë mrekulli.
Vështirë të mendohet se Liverpuli do ta shkarkojë Kloppin pa përfunduar sezoni. Jo shumë për vlerësimin ndaj tij (me gjermanin ka fituar titullin që mungonte prej 30 vitesh, 1 F.A Cup, 1 Carabao Cup, 1 Community Shield, 1 Champions, 1 Superkupë Europe dhe 1 Botëror për klube), por për faktin se klubet e mëdha angleze besojnë te një trajner, që përveçse stërvit skuadrën, administron edhe pjesën teknike të tyre.
Mbetet gjithsesi të kuptohen arsyet e krizës së këtij sezoni. Nuk është puna se ndaj futbollit të Klopp janë gjetur mënyrat për ta mundur nga kundërshtarët. Më logjike është të përqendrohesh te blerjet, që nuk kanë rezultuar të goditura.
Afrimi i Darwin Nunez dhe Gapko nuk e kanë zgjidhur problemin e sulmit, pas largimit të Mané dhe dëmtimit të Luis Diaz, si dhe të shkëlqimit të humbur pak nga pak të Firminos. I vetmi që është gjithmonë në nivelin e kërkuar është Salah, shënuesi më i mirë në Championsit këtë sezon.
Probleme ka edhe mesfusha, mes mungesash dhe lojtarësh jo në lartësinë e Liverpulit. Në mbrojtje sapo është kthyer Van Dijk, por që duhet e kundërta e qendërmbrojtësit më të mirë në botë. Dhe pastaj, kur gabon edhe Alisson…
Versioni aktual i Liverpulit po u dhuron rekorde kundërshtarëve. Hera e parë që një skuadër arrin të shënojë 5 gola në ‘Anfield’ dhe lojtari i dytë më i ri (pas Krujf) që shënon një dopietë në tempullin e të kuqve (Vinicius). Një sezon për t’u harruar. Që në muajin shkurt Liverpuli është jashtë çdo objektivi sezonal. Community Shield e fituar në gusht nuk mbulon aspak dështimet që kanë ardhur më pas.