Struktura e Posaçme Antikorrupsion kërkon ndryshimin e ligjit që kufizon mandatin e prokurorëve pjesë të saj. Në një kërkesë drejtuar komisionit të ligjeve në Kuvend, SPAK pretendon se kufizimi i mandatit të prokurorëve nuk i shërben luftës kundër korrupsionit.
SPAK thotë se kufizimi i mandatit të prokurorëve në 9 vite, nuk aplikohet për gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe është i gabuar të aplikohet edhe për prokurorët për disa arsye, si investimi për trajnimin e prokurorëve, kohën e gjatë që harxhohet për emërimin e tyre nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe për faktin se, sipas SPAK, në funksionet me mandat të kufizuar, është konstatuar se në vitin e fundit të mandatit, funksionari mendon për të gjetur një zgjidhje të favorshme punësimi pas mbarimit të mandatit dhe jo të kryejë detyrën që i është ngarkuar.
Momentalisht, SPAK ka të emëruar 9 prokurorë, nga 15 që duhet të ketë sipas ligjit. Ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit, ka në përbërje vetëm 28 hetues nga 60 që duhet të ketë sipas ligjit.
“Kushtetuta dhe Ligji nr.95/2016 parashikon që prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë përsëritje. Ndërkohë gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit nuk e kanë një kufizim të tillë, po ashtu dhe gjithë prokurorët e tjerë në sistemin e prokurorisë nuk kanë një kufizim të tillë. Një zgjidhje e tillë ligjore mendojmë se është e gabuar për disa arsye:
Domosdoshmëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund të kufizohet në kohë. Eksperienca botërore ka treguar se korrupsioni dhe krimi organizuar nuk mund të zhduken, por duhen luftuar nga strukturat shtetërore në mënyrë të vazhdueshme dhe me efektivitet gjithmonë në rritje. Krijimi dhe funksioni i strukturave të specializuara është një garanci për të patur sukses në këtë luftë.
Shteti shqiptar dhe bashkëpunëtorët kanë ndërkombëtarë kanë investuar dhe po vazhdojnë të investojnë fuqimisht në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe funksionale të prokurorëve të posaçëm. Në kushtet që prokurorët e posaçëm kanë mandat të kufizuar, ku investime do të duhet të përsëritet me grupin e ri të prokurorëve që do të përzgjidhen pas mbarimit të mandatit të prokurorëve ekzistues. Mendojmë një zgjidhje ligjore me mandat të kufizuar krijon kosto të mëdha dhe të pajustifikuara”, është kjo një pjesë e letrës që SPAK i ka dërguar Kuvendit.