Popullsia e Shqipërisë ra me 0.3% si pasojë e migrimit prej rreth 15 mijë vetësh, sipas vlerësimeve të Institutit të Statistikave, ku popullsia banuese e meshkujve ra me 0.6% ndërsa ajo e femrave u rrit me 0.1%.
Sipas vlerësimeve të INSTAT, popullsia banuese më 1 janar 2019 ishte 2.86 milionë banorë.
Të gjitha qarqet e vendit me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit pësuan rënie të popullsisë, ku rënia më e madhe vërehet në Gjirokastër me 2.4% dhe në Berat me 1.8%. Popullsia e Qarkut Tiranë u rrit me 1.3% ose me 11 mijë vetë, ritmi më i ulët i shënuar në shumë vite.
Statistikat e INSTAT janë të pjesshme dhe përbëjnë një vlerësim të situatës duke marrë parasysh popullsinë e censusit të vitit 2011, lindjet dhe vdekjet si dhe një vlerësim mbi shkallën e migrimit neto.
Lindjet më të ulëta në një shekull
Instituti i Statistikave publikoi të hënën vlerësimin për popullsinë banuese në Shqipëri në 1 janar 2019 si dhe statistikat demografike të vitit 2018. Numri i lindjeve ra në më pak se 29 mijë në vitin e kaluar nga afro 31 mijë që ishte në vitin 2017. Numri i vdekjeve ishte afro 22 mijë ndërsa rritja natyrore e popullsisë ishte 7,130 vetë. Numri i foshnjave të lindura është më i ulëti i shënuar për aq kohë sa vendi ka një sistem të regjistrimit të lindjeve. Shqipëria e krijoi regjistrin civil në vitin 1929 dhe në vitin e parë të regjistrimit sistematik të lindjeve, më 1930, u regjistruan 30 mijë të tilla.
Të rinjtë ikin, të moshuarit rriten
Ndryshimi i popullsisë sipas grupmoshave flet për rënie masive të popullsisë në moshën 0-24 vjeç dhe për rritje të fortë të popullsisë në moshën mbi 55 vjeç. Brezi i shqiptarëve me rënien më të madhe të popullsisë ishte 20-24 vjeç. Në vitin 2018 në Shqipëri pati 10 mijë vetë më pak nga kjo grupmoshë se sa në vitin 2017.
Numri i fëmijëve nën 14 vjeç ra me 13 mijë gjatë vitit 2018 ndërsa numri i popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç ra me 8,400 vetë. Ndryshe nga fëmijët dhe të rriturit në moshë pune, popullsia mbi moshën e punës ose mbi 64 vjeç u rrit me 14 mijë vetë. Struktura moshore e popullsisë sugjeron se të rinjtë do të vijojnë të pakësohen gjatë viteve të ardhshme për shkak të lindjeve të pakta dhe dhe migrimit të të rinjve./ Gjergj Erebara/ Birn