Vittorio Sgarbi njihet nga i gjithë publiku shqiptar, për simpatinë që ai ka për popullin shqiptar. Por politikani dhe kritiku i njohur i artit ka kaluar disa momente frike të vërtetë pikërisht në bregdetin shqiptar, në plazhin e bukur të Palasës.
Italiani 68-vjeçar po kalon disa ditë në vendin tonë, duke vizituar disa nga vendet më interesante, në shoqëri të vajzës së tij Alba, mamaja e të cilës është shqiptare.
Sgarbi u tundua nga ujërat e kaltra të jugut, dhe përfitoi nga rasti për t’u futur në det. Por italiani, që shoqërohej edhe nga kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, nuk kishte llogaritur rrymat dhe erën që frynë në atë zonë.
Nga video që qarkullon në rrjet dhe është shpërndarë nga të gjitha mediat italiane, duket qartë ujërat e qeta u shndërruan në pak sekonda në një det të rrëmbyer që përpiu italianin, që u ndihmua fillimisht nga vajza dhe më pas nga disa persona të tjerë që gjendeshin pranë.
Vittorio Sgarbi: Ishte pagëzim shqiptar
Pas incidentit, sot ka ardhur edhe reagimi i Vittorio Sgarbi. Kritiku i njohur italian thotë se ajo që ka ndodhur ishte një pagëzim shqiptar.
“Çdo gjë ok, jam mirë. Momenti më i mirë ka qenë kur u zhyta në ato dallgë të mrekullueshme që për pak më morën me vete, por dola më i forta. Vajza ime më shpëtoi, ka qenë një pagëzim shqiptar”, tha Vittorio Sgarbi.
Video-mesazhin e ka publikuar kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli që po e shoqëron në turin e tij në Shqipëri. “Jam me Vittorio Sgarbi, gëzon shëndet të plotë për të gjitha ata që janë të shqetësuar. Sapo kemi vizituar Butrintin, Sarandën, Gjirokastrën dhe tani nga Tepelena po udhëtojmë drejt Beratit”, tha Leli.