Kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi në Facebook ka reaguar në lidhje me firmosjen e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore me Italinë.
“Sot është një ditë triumfi edhe për politikën si një mjet i pazëvendësueshëm për ta bërë më të mirë, më të sigurt, më dinjitoze jetën e njerëzve të zakonshëm. Për mua është një nga ato ditë fatlume, kur ndjenja e të qenit i vlefshëm për njerëzit e këtij vendi bëhet shumë e prekshme dhe e barazon me zero të gjithë peshën e rëndë të baltës së arenës politike e mediatike”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë “sot janë mbi 500 mijë shqiptarë që mund të buzëqeshin për fundin e një odiseje të gjatë tridhjetë e kusur vite”.
“Qëkur ne nisëm të flasim me qeverinë italiane të kohës për pensionet e emigrantëve shqiptarë dhjetë vjet më parë, ata kanë pritur e kanë pritur. Fillimisht dukej krejt e pamundur për shkak të peshës domethënëse financiare të një marrëveshjeje të tillë”.
Rama shprehu falenderime për zyrtarë të lartë që mundësuan marrëveshjen, përfshirë “kryeministren e Italisë dhe bashkudhëtaren e çmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, Giorgia Meloni, pa të cilën nënshkrimi i sotëm i dokumentit përfundimtar të kësaj marrëveshjeve jetike për shqiptarët e Italisë, thjesht nuk do të kishte ndodhur”.
“Natyrisht kjo përpjekje nuk mbaron këtu, sepse ka ende marrëveshje të tjera për të lidhur deri kur punëtori i fundit shqiptar në emigracion të gëzojë të drejtën e njohjes së mundit e të djersës së tij kudo qoftë ku ka derdhur sigurime shoqërore nga puna në një vend tjetër”, tha Rama.