Bota Vizat për punonjësit e huaj të kualifikuar, Trump mbështet Musk

Vizat për punonjësit e huaj të kualifikuar, Trump mbështet Musk

Presidenti i zgjedhur Donald Trump duket se është radhitur në krah të biznesmenit miliarder Elon Musk dhe mbështetësve të tij në fushën e industrisë së teknologjisë, në debatin brenda republikanëve, mbi programin e vizave H-1B për punonjësit e kualifikuar.

Në një intervistë për gazetën ‘New York Post’ të shtunën, Trump mbështeti përdorimin e këtyre vizave për të sjellë punonjës të huaj të kualifikuar në Shtetet e Bashkuara.

Të premten në mbrëmje Musk, drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, u zotua të mbrojë me vendosmëri programin e vizave H-1B, duke iu referuar industrisë së teknologjisë.

Në një postim në platformën e mediave sociale X, Musk shkruante se: “arsyeja pse jam në Amerikë së bashku me kaq shumë njerëz me rëndësi jetike, që ndërtuan kompanitë SpaceX, Tesla dhe qindra kompani të tjera që e bënë Amerikën të fortë, është programi i vizave H1B”.

“Unë do të luftoj për këtë çështje, të cilën ju nuk mund ta kuptoni”, shtoi ai.

Tema është bërë një pikë e nxehtë debati brenda bazës konservatore republikane.

“Gjithmonë më kanë pëlqyer vizat dhe kam qenë gjithmonë pro tyre. Kjo është arsyeja pse i kemi ato”, tha Trump.

Në të kaluarën Trump i ka përdorur këto viza në bizneset e tij, diçka që ai e pranoi edhe gjatë intervistës të së shtunës.

“Kam shumë njerëz me këto viza në pronat e mia. Kam besuar tek ato. I kam përdorur shumë herë. Është një program i mrekullueshëm”, tha Trump për gazetën.

Por ai nuk tha nëse do të kishte ndonjë ndryshim në numrin e vizave të këtij lloji që do të jepeshin pasi të merrte detyrën më 20 janar.

Politikat e vijës së ashpër të zotit Trump ndaj imigracionit, të përqendruara kryesisht tek emigrantët që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, ishin gur themeli i fushatës së tij presidenciale dhe një çështje prioritare për mbështetësit e tij.

Inxhinierët e programeve kompjuterike dhe të tjerë që punojnë në industrinë e teknologjisë i kanë përdorur vizat H-1B për punonjësit e huaj të kualifikuar. Ata thonë se ato janë një mjet jetik që të plotësohen pozicione të vështira. Por kritikët thonë se ato nënvlerësojnë shtetasit amerikanë, që mund t’i merrnin këto vende pune. Disa republikanë konservatorë kanë kërkuar që programi të mbyllet.