Një vizatim i shekullit XVI i realizuar nga një prej figurave kryesore të Rilindjes gjermane, është vlerësuar mbi 10 milionë dollarë nga ekspertët, edhe pse është blerë fillimisht për vetëm 30 dollarë në vitin 2017, në një treg mallrash të përdorur.
Sipas “Agnews Gallery”, shtëpia e ankandeve në Londër që ka në pronësi veprën e artit – autori i saj, Albrecht Dürer, i cili ndërroi jetë në vitin 1528, vlerësohet si një prej artistëve më të mëdhenj gjermanë të të gjitha kohërave dhe një prej më të rëndësishmëve të periudhës së Rilindjes në Europë.
Vizatimi titullohet “Virgjëresha dhe fëmija” dhe sipas “Agenews” mendohet se është realizuar në vitin 1503. Clifford Schorer, konsulent i galerisë, tha se e kishte blerë krejt rastësisht vizatimin, teksa po shkonte në një festë në Boston në vitin 2019. Meqë nuk kishte marrë dhuratë, u fut në një librari dhe shitësi i tha se kishte një vizatim të Dürer. Mosbesues, për shkak se vepra e fundit e artistit ishte zbuluar 100 vite më parë, Schrorer pranoi ta shihte. Aty mësoi se ajo ishte blerë në një treg mallrash të përdorur dy vite më parë.
Pas analizave të imtësishme që i janë bërë, vepra besohet se mund të shitet në ankand më shumë se 10 milionë dollarë. “Mund të thuhet pa frikë se Dürer është një nga grafistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, një pionier i gravurave dhe vizatimeve. Ishte mjeshtër i punëve bardhë e zi dhe me veprat e tij frymëzoi artistë në të gjithë botën”.