Kryesore Vizita e Blinken, Rama: Vlerë e veçantë që Sekretari amerikan zgjedh Tiranën...

Vizita e Blinken, Rama: Vlerë e veçantë që Sekretari amerikan zgjedh Tiranën në këto kohë të trazuara

Antony Blinken dhe Edi Rama gjate nje takimi te meparshem

Në një mesazh të gjatë që lajmëron ardhjen në Tiranë të Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken javën e ardhshme, kryeministri Edi Rama i ka uruar mirëseardhjen në vendin tonë kreut të diplomacisë amerikane.

Kryeministri shpreh angazhimin e Shqipërisë si një vend aleat i SHBA-së i angazhuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Fakti që Antony Blinken zgjedh Shqipërinë në këto kohë të trazuara ka një vlerë të veçantë për Shqipërinë”, thekson Rama që sakaq shpreh edhe njëherë rreshtimin e Shqipërisë krah Shteteve të Bashkuara sa i përket luftës ndaj terrorizmit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vijë në Tiranë më 14 Shkurt.

POSTIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:

Ardhja e një Sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë. E teksa përgatitemi për t’i uruar mirëseardhjen mikut të çmuar, dua të rinënvizoj angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e zhvillim.

Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është vijimësisht gati të angazhojë trupa dhe burime të reja, në kuadrin e angazhimit kolektiv të të gjitha vendeve anëtare për fuqizimin e NATO-s, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme që mishërojnë vetë arsyen ekzistenciale të komunitetit tonë demokratik.

Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shembëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj.

Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë, ku qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re, në përpjekjen e madhe për zhbërjen e kulturës së vjetër të pandëshkueshmërisë.

Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike, ku vendosja e sundimit të barabartë të ligjit përbën kushtin themelor të ndarjes epokale me të shkuarën njëqind e kusur vjeçare të pabarazisë para ligjit në këtë vend. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Prandaj Sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar.

Mirësevini zoti Sekretar!

Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

Miqësia Juaj na nderon!