Bota Vizita e parë jashtë Ukrainës që nga sulmi rus, Zelensky takon Biden...

Vizita e parë jashtë Ukrainës që nga sulmi rus, Zelensky takon Biden në Shtëpinë e Bardhë

Joe Biden me Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur këtë të mërkurë në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Ai u prit nga Presidenti amerikan Joe Biden së bashku me bashkëshorten e tij Jill, në një ceremoni të veçantë.

Kjo është vizita e parë jashtë vendit për presidentin ukrainas që nga sulmi ndaj Ukrainës nga Rusia në shkurt të këtij viti.

Një tapet i kuq ishte shtruar në nder të tij, ndërsa dy flamujt e SHBA dhe Ukrainës qëndronin krah më krah. Pas shtrëngimit të duarve, palët pozuar për një fotografi.

Lideri ukrainas e cilësoi një nder të madh ftesën për të vizituar SHBA dhe falënderoi presidentin Biden për kontributin që vendi i tij i ka dhënë Ukrainës gjatë këtyre muajve luftë.

Mes të tjerash, Zelensky i akordoi një çmim ushtarak presidentit amerikan për trimërinë e treguar në këto momente të vështira. Biden e pranoi këtë çmim me shumë kënaqësi.

Nga ana e tij, Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se SHBA mbështet paqen në Ukrainë dhe i tha Zelensky se vendi i tij ka çuditur botën me rezistencën e treguar.

Më pas ata u nisën në ambientet e Dhomës Ovale për të mbajtur një takim që pritet të zgjasë rreth 2 orë. Më pas do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Zelensky mbërriti nga Ukraina në Bazën Ajrore Ushtarake Andrews në Maryland, më herët gjatë ditës së sotme.

Vizita e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi amerikan pritet të votojë për buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe përgatitjeve të Uashingtonit për t’i dhënë Kievit sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.