Një ditë pasi priti në Berlin liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilëve u premtoi integrim të shpejtë në familjen europiane për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Rusisë, por edhe Kinës në rajon, kancelari Olaf Scholz udhëtoi drejt Pekinit, i shoqëruar nga një delegacion prej 12 titanësh të industrisë gjermane, përfshirë Volkswagen dhe Deutsche Bank.
Pasi sakrifikoi lidhjet ekonomike me Rusinë, për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania përcjell mesazhin e qartë se; tregtia me ekonominë e dytë më të madhe në botë, Kinën, duhet të vazhdojë. Scholz u takua me liderin kinez Xi Jiping, të cilit i kërkoi lidhje ekomomike me barazi dhe reciprocitet. Ndërsa numri një i Pekinit, tha se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në kohërat e trazuara dhe të ndryshimit që po përjeton bota.
“Është diçka e mirë që do të kemi shkëmbim intensiv pikëpamjesh lidhur me një numër çështjes, përfshirë mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik”, tha Scholz. “Situata aktuale ndërkombëtare është komplekse, me rreziqe e sfida të paprecedenta. Kina dhe Gjermania, si dy vende të mëdha, me ndikim të konsiderueshëm, duhet të vijojnë bashkëpunimin dhe të kontribuojnë për paqen dhe zhvillimin global”, tha Xi Jingping.
Vizita e Scholz, e para e një lideri të G7-s në Kinë në gati 3 vjet, zhvillohetm ndërsa Gjermania po rrëshqet në recesion. Por ajo ka nxitur shqetësime, se interesat e ekonomisë më të madhe të Bashkimit Europian, vijojnë të jenë të lidhura ngushtë me ato të Pekinit, vend që i ka shprehur besnikëri dhe miqësi te pakufijshme Rusisë.
“Ne aktualisht kemi mbi 5 mijë kompani gjermane që janë të pozicionuara dhe kanë investuar në Kinë, dhe mbi 50% e tyre kanë qenë në këtë treg për më gjatë se 15 vjet”, thotë Jens Hildebrandt, kryetar i Dhomës Tregtare të Gjermanisë në Kinë.
Debate të ashpra kanë shpërthyer brenda qeverisë gjermane, pasi u zbulua se një kompani kineze thuhet se do të blejë aksione të konsiderueshme në një pjesë të portit të Hamburgut. Të paktën 6 ministra reaguan me zemërim, duke pretenduar se kjo do të rrisë ndjeshëm ndikimin e Pekinit mbi infrastrukturën kritike gjermane. Edhe shërbimet e sigurisë në vend kanë bërë thirrje për kujdes, por kancelari gjerman duket i vendosur për të çuar përpara ujdinë.
Udhëtimi i Scholz në Kinë, i paralajmëruar por jo i koordinuar me të tjerët në BE, ka tronditur mbarë Europën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, së fundmi paralajmëroi se kancelari gjerman rrezikonte të izolohej. Ai prej kohës ka bërë presion që BE të jetë me pak nën kontrollin e Kinës.