Në shtëpinë ku punonte për ta mirëmbajtur në rrugën e Kosovarëve në Tiranë, Rozeta Dobi 49-vjeçe, bashkë me djalin e saj Havier Dobi, 23-vjeç, kanë vjedhur rreth 120 mijë euro (para dhe sende me vlerë).
Policia tha se ka sekuestruar mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë dhe 3 automjete, ku dy prej tyre ishin të blera me paratë e vjedhura.
Vjedhja është bërë me çelësin që ka pasur pastruesja dhe më pas kanë bërë rrëmujë për të improvizuar një skenë të autorëve të rastësishëm. Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur me 15 dhjetor në banesën ku jeton një grua me vajzën e saj në një nga zonat qendrore të kryeqytetit.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, gjatë periudhës që Rozeta Dobi ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në “Rrugën e Kosovarëve”, në bashkëpunim me Havier Dobin (djali i saj), kanë vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe sekuestruan 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.