Bën kërdinë në vjedhje e bizneseve, arrestohen 4 kosovarë dhe një shqiptar.
Në pranga kanë rënë vëllezërit Sabadin dhe Arsim Bytyqi, përkatësisht 50 dhe 40 vjeç; Visar Sopjani, 33 vjeç; Fitim Emiri, 45 vjeç me origjinë nga Kosova dhe Raimond Çela, i vetmi shqiptar 30 vjeç.
Ata u vunë në pranga me kërkesë të prokurorit të Milanos Andrea Fraioli.
Sipas mediave fqinje, raportohet se banda e hajdutëve ka kryer 23 vjedhje, në shumë kompani në Lombardi, Veneto, Piemonte dhe Emilia Romagna.
Hetimi nisi nga një qytetar zgjuar
Hetimet nisën në muajin qershor 2018, kur një qytetar i Trezzanos kishte raportuar për policinë praninë e vazhdueshme të një Audi Rs3 – një makinë e fuqishme, e aftë për të arritur shpejtësi marramendëse, pranë një distributori benzine në rrugën Leonardo da Vinçi. Kjo makinë, siç tha dëshmitari, u shfaq në orën 22:00 në mbrëmje dhe më pas u kthye në orën 5 të mëngjesit, duke zgjuar disa prej banorëve me zhurmën e motorit. Policia filloi hetimin dhe menjëherë konstatoi se makina ishte vjedhur dhjetorin e 2017 nga një tregtar në provincën e Vicenzës, raporton gazeta Shqip.
Si funksiononte banda
Ata vepronin në të njëjtën metodë. Katër herë në javë, rreth orës 22:00 shkonin në sheshin e një stacioni të benzinës në Trezzano, Naviglio, Milanos dhe ‘fluturonin’ me Audin RS3 të fuqishëm drejt qëllimit të tyre. Më parë ata linin telefonat në automjetet e tyre personale dhe largoheshin me Audin, me në shpejtësi prej 250 km/h. Të gjithë hajdutët visheshin me rroba të zeza dhe atlete.
Mjeti rreth orës 5:00 të mëngjesit rikthehej sërish në të njëjtin vend për t’i ndryshuar targën dhe më pas autorët shpërndaheshin me 4 automjete të ndryshme. Gjatë këtyre 7 orëve, ata e konsideronin veten në punë dhe kishin si qëllim që të vidhnin kompani të ndryshme.
Jeta e luksit
Sipas hetuesve, shqiptarët kishin grumbulluar qindra mijëra euro, ndonëse ende nuk ka një bilanc ekzakt. Me paratë e grumbulluara ata blinin shtëpi dhe makina luksi, ndonëse nuk kishin punuar asnjë ditë të vetme. Arrestimet janë bërë mëngjesin e së mërkurës, 30 janar, ku gjatë kontrolleve policia iu ka sekuestruar verë e llojit “Sassicaia”, që është e shtrenjtë; , stilolapsa Montblanc (duke përfshirë disa me vlerë dy mijë euro sepse kanë prodhim të kufizuar) dhe një çantë me para, të valutave të ndryshme.