Aktualitet Vjehrri i tij u hodh nga Sanatoriumi, flet deputeti Gjetani: Të sëmurët...

Vjehrri i tij u hodh nga Sanatoriumi, flet deputeti Gjetani: Të sëmurët me Covid nuk duhen lënë në katin e 4-t

Deputeti Gjetan Gjetani ka thyer heshtjen lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në spitalin e Sanatoriumit, ku vjehrri i tij i prekur nga Covidi u hodh nga kati i katërt.

Ai ka folur për televizionin ABC News lidhur me ngjarjen, duke ngritur shqetësimin për mungesën e psikiatrit në spitalet Covid 1 dhe Covid 2.

Po ashtu shtoi se personat e prekur me koronavirus, nuk duhet të shtrohen në katin e katërt.

Gjetani tha se vjehrri i tij Hasan Mira, gëzonte një shëndet shumë të mirë dhe se e ka kuptuar me shumë vonesë se ishte i prekur me COVID-19.

“Ishte një rrufe në qiell të hapur. Gëzonte një shëndet shumë të mirë. Nga sa më kanë thënë mjekët, kishte mbi dy javë i infektuar. Ka pasur një fizik shumë të mirë dhe nuk e ka kuptuar sëmundje. Sipas mjekëve është konstatuar shumë vonë. Për shërbimin e mjekëve nuk kam asnjë ankesë, por të themi realitetin dhe të jemi të sinqertë nga ana e qeverisë ka shumë mangësi. Në Sanatorium nuk ka një psikiatër, njerëzit me probleme të tilla nuk mund të shtrohen në katin e katërt. Duhet të merren masa që persona me probleme të tilla të shtrohen në katin e parë. Ishte në një gjendje të mirë shëndetësore, COVID-19 nuk e ka kuptuar fare, kishte mbi dy javë. Doktorët e Burrelit nuk e kanë zbuluar këtë sëmundje. Por kur ka bërë një vizitë në Sanatorium është konstatuar me koronavirus”, u shpreh deputeti.

Më pas ai shtoi se Covidi i kishte prekur vjehrrit të tij sistemin nervor. Gjetani nga ana tjetër shprehu vlerësimin e tij për mjekët, të cilët i konsideron heronj.

“Sipas mjekëve COVID-19 godet organizmin njeriut në pikën më të dobët. Ka persona që i ka goditur në mushkëri. Në rastin konkret i ka goditur sistemin nervor. Kur unë e kam takuar ka qenë shumë mirë, nuk arrita ta besoj. Në spital kam hyrë, e kam parë me sytë e mi, kam parë edhe angazhimin e përkushtuar të mjekëve. Janë vërtet heronj, pasi përballen edhe me problemet e qytetarëve. Jo, vetëm të mërkurën në mëngjes i ka shfaqur këto probleme.”- deklaroi Gjetani.