Ambasadori i ri britanik në Tiranë, Nick Abbott, i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj të premten.
“Nis një kapitull i ri në marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë me marrjen e detyrës nga ambasadori britanik, Nick Abbott. Kjo shënon edhe avancimin e marrëdhënies nga miq në partnerë për progres, duke nënkuptuar një partneritet të fortë dhe dinamik”, thuhet në një njoftim të ambasadës britanike.
“Ambasadori Abbott do të udhëheqë përpjekjet tona për të thelluar bashkëpunimin, duke u fokusuar në mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Nga rritja ekonomike tek shkëmbimi kulturor, jemi të angazhuar për të krijuar përfitime konkrete për të dy vendet. I ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen në këtë rrugëtim. Së bashku, ne mund të arrijmë përparim të jashtëzakonshëm dhe të formësojmë një të ardhme më të ndritur për vendet tona”, theksohet në njoftim.
Abbott zëvendësoi në këtë detyrë Alastair King-Smith. Ai është pjesë e trupit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar që prej vitit 1985.
Para se të emërohej në Shqipëri, Abbott ka qenë ambasador në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2024.
Ai gjithashtu ka punuar në poste të ndryshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si në Algjeri, Arabinë Saudite, Katar, Algjeri dhe Egjipt.