Janari ka kthyer ditët tipike të dimrit me të ftohtin arktik.
Temperaturat në zonat malore pritet të arrijnë deri në -9 gradë C, ndërsa në Ultësirën Perëndimore dhe kryeqytet parashikohet të zbresin në 0 apo -1 gradë C.
Sinoptikania Lajda Porja tha se shkak për këtë ndryshim drastik të motit janë masat e ftohta polare, të cilat ndryshe nga vitet e kaluara, do sjellin ulje temperaturash edhe në Shkodër, Fier e Berat.
Porja bën të ditur se do bëjë kryesisht mot me diell, nuk do mungojnë vranësirat, karakteristike do jetë era e ftohtë nga veri-lindja dhe lagështira.
Ajo tha se nuk do ketë reshje, por dëborë të imët në zonat e thella malore.
Piku i temperaturave të ulta do jenë dita e enjte dhe e premte, ndërsa e diela sjell një përmirësim gati të pandjeshëm.
Sinoptikania sqaron se kjo situatë do jetë të paktën deri në mesin e javës tjetër.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje shoferëve që të ecin me kujdes dhe të jenë të pajisur me goma dimërore dhe me zinxhirë.
ARRSH bën me dije se aksi që ka pasur më shumë probleme në qarkullim është ai i Urës së Zapodit-Shishtavec.
Disa fshatra në Lezhë kanë pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike si pasojë e erës së fortë që ka përfshirën zonën, si pasojë e motit të keq.
Era e fortë ka dëmtuar disa linja dhe shtylla elektrike, duke lënë në errësirë dhe pa ngrohje disa fshatra në Zejmen dhe Kolsh të Lezhës. Moti i keq ka përfshirë edhe qarkun e Dibrës duke sjellë probleme të shumta edhe me furnizimin me energji elektrike të disa fshatrave.
Prej më shumë se 72 orësh të gjithë fshatrat e Njësisë Administrative Zall-Dardhë në Bashkinë e Dibrës janë në errësirë.