Dhe pse vjeshta ka hyrë me temperatura vere, në kampin qeveritar priten ‘stuhi’ politike. Protagonisti është Edi Rama. Të hënën pasdite do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e ku ministrat do të jenë nën tension, duke pritur që udhëheqësi i tyre politik të shpallë ndryshimet e reja e paralajmëruara në qeveri.
Edi Rama ka shpallur prej kohësh nismën për ndryshimin e qeverisë, por duke lënë si përherë, në minutën e fundit, se kush do të largohet dhe kush do të emërohet në këto poste drejtuese.
Vetë ministrat po presin me ankth atë çfarë do të artikulojë Rama në lidhje me qeverinë, pasi asnjë prej tyre, veç Taulant Ballës i zgjedhur së fundmi ministër i Brendshëm, e sipas burimeve, dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku nuk e ka vendin të sigurt. Shumica e ministrave në fakt shihen si tejet të konsumuar në këtë qeverisje 10-vjeçare të këtij mandatit të tretë të socialistëve dhe ndaj ato në poste kyçe përfliten se do të largohen.
Por në këtë lëvizje për ndryshimin e qeverisë, vetë kryesocialisti duket se është më komod. Këtë “qetësi” Rama e gjen te mungesa e opozitës së fortë, e ndarë në tre apo katër pjesë, që nuk ka guxim dhe mundësi që të rrezikojë qeverinë. Ndaj për ballë një opozite amorfe, Rama mund të propozojë emra të rinj, e kjo më qëllim edhe për ti promovuar apo ripërtërirë trupën e PS-së në të ardhmen. Kjo nuk është hera e parë që Rama e aplikon një gjë të tillë, mjafton të përmendim emra si Frida Krifca, Etilda Gjoni, Elva Margariti apo dhe Delina Ibrahimajn.
Mësohet se Rama nëpër korridoret politike ka deklaruar se me propozimet e tij do të ketë shumë surpriza me emrat që pritet ti shpallë në Asamblenë e PS-së.