Numri i fëmijëve të Putinit dhe statusi i marrëdhënieve të tij, mbeten tema tabu për mediat ruse
Nga Kate Samuelson – The Week
Me kalimin e viteve, spotet propagandistike mbi Vladimir Putin, të cilat e kanë shfaqur atë duke bredhur gjysmë i zhveshur nëpër shkretëtirën e Siberisë, duke shijuar peshkimin në lumë apo duke u zhytur në një liqen të akullt, janë bërë vazhdimisht virale në internet.
Por ndërsa presidenti rus nuk e ka problem ta shohë veten gjysmë të zhveshur dhe të komentohet nga mediat botërore, ai e ka mbajtur vazhdimisht të fshehtë një aspekt kyç të jetës së tij: lidhjet imtime.
Me kalimin e viteve, gazetarët rusë e kanë parë karrierën e tyre të kërcënuar, dhe në disa raste edhe të shkatërruar, sa herë janë përpjekur të raportojnë mbi lidhjet dashurore të Putin. “Edhe shtypi opozitar, që shkruan rregullisht mbi korrupsionin e rrethit të ngushtë të Putinit, ka qenë shumë i kujdesshëm duke shmangur komentet mbi gratë e Putinit”. shkruan “The Spectator”. Deri më sot, numri i fëmijëve të Putinit dhe statusi i marrëdhënieve të tij, mbeten tema tabu për mediat ruse.
Nga ana tjetër, Putin nuk ka asnjë shqetësim për shtimin e sulmeve personale ndaj kundërshtarëve të tij politikë, në atë që “The Economist” e ka cilësuar si “epokën e re të represionit” në Rusi. Po çfarë dimë në fakt mbi jetën private të njeriut që ka drejtuar këtë superfuqi që nga fillimi i këtij mijëvjeçari?
Ish-bashkëshortja e Putinit, Ljudmilla, punonte dikur si stjuardesë, një punë shumë e lakmuar në epokën sovjetike. Ata u njohën në fillim të viteve 1980, kur një mik i përbashkët i ftoi të dy në teatër. “Unë u bëra menjëherë mik i Ljudës, gruas time të ardhshme”, kujtoi Putin në atë që “The Washington Post” e përshkruan si një “kujtim pa asnjë pasion” në faqen e tij të dikurshme presidenciale.
“E kuptova që nëse nuk do të martohesha edhe për 2-3 vitet e ardhshme, nuk do të martohesha më kurrë. Edhe pse sigurisht, e kisha bërë zakon të bëja jetën e një beqari. Ljudmilla i dha fund asaj”, shprehej Putin. Fotot e ditës së tyre të dasmës më 28 korrik 1983, “tregojnë gruan të mbështjellë me një shall të gjatë të bardhë dhe Putin të zhytur brenda një kostum të zi”.
Çifti pati 2 vajza në mesin e viteve 1980. Njëra prej tyre tani është një gjenetiste 36-vjeçare, dhe tjetra një matematikane 34-vjeçare. Putin nuk i ka ekspozuar asnjëherë publikisht fëmijët e tij, përveçse ka thënë se ka dy vajza.
Në vitin 2019, reporterja e “BBC Russia”, Farida Rustamova i kërkoi udhëheqësit rus të pranonte se dy gratë ishin vajzat e tij. “Miqtë e tu të vjetër, menaxherë të kompanive shtetërore, po i ndihmojnë këto dy gra në operacionet e tyre të biznesit”, shpjegoi ajo.
Por Putin refuzoi. Çifti Putin njoftuan ndarjen e tyre në vitin 2013, tre dekada pas martesës së tyre.
“Është e paqartë se kur filloi me saktësi të shkatërrohej martesa e tyre. Por të gjitha dëshmitë nga njerëz të afërt, flasin për diferenca në personalitetet e të dyve”, shkruan “The Washington Post”. Vëmendja në rritje ndaj Putinit e shqetësonte Ljudmillën, dhe ajo u pa rrallëherë në publik deri në fund të martesës.
Madje pati spekulime se ajo ishte mbyllur në një manastir. Në vitin 2013, “The Moscow Times” raportoi se ajo i tha një herë një mikut të saj se Putin ishte “një vampir”. Fjalët e saj ranë shpejt në veshin e Putin, i cili u kundërpërgjigj duke thënë se cilido që mund të duronte gruan e tij për 3 javë “meriton t’i ngrihet një monument”.
Në vitin 2020, platforma e pavarur investigative ruse e medias “Proekt”, publikoi një seri dokumentesh që përfshinin pretendimin se Putin kishte pasur një lidhje me një grua të quajtur Svetlana Krivonogik gjatë martesës së tij me Ljudmillën, pasi ai u bë president për herë të parë në vitin 1999.
Po ashtu portali pretendoi se Putin ishte babai i Luiza Rozovës, vajzës së Krivonogik, të cilën britanikja “Daily Mail” e përshkroi si një “dashnore që nga pastruese u kthye në milionere”. Duke analizuar postimin e Rozovës në Instagram, “The Spectator” shkroi se mund të shihen foto të mëngjeseve të 18 vjeçares, selfi me bikini dhe një “apartament luksoz në Paris”, por “nuk mund të shohësh asnjëherë fytyrën e saj”.
Pse? Sepse Luiza “ka një ngjashmëri të habitshme me sjelljen e Vladimir Putin”. Pasi u publikuan investigimet e “Proekt”, mbikëqyrësi shtetëror i medias ruse e bllokoi faqen e internetit. Putini ishte i prirur që ta mbante lidhjen e tij jashtë vëmendjes së publikut “për të mbrojtur imazhin e tij si kampion i vlerave tradicionale”, shkroi në “Washington Post” Roman Badanin, ish-kryeredaktor i “Proekt”.
Gati të gjithë gazetarët e “Proekt” u shpallën si “agjentë të huaj”, dhe autoritetet ruse nisën një hetim për shpifje kundër 3 gazetarëve, përfshirë Badanin, gjë që e detyroi atë të braktiste atdheun dhe të zhvendosej me banim në Shtetet e Bashkuara.
Në tetor, “Pandora Papers” zbuloi se Krivonogik kishte blerë një apartament luksoz me vlerë katër milionë dollarë në katin e katërt në bllokun më të mirë të apartamenteve në “Monte Carlo Star” në Monako, nëpërmjet një kompanie off-shore.
Po ashtu dokumentet e tjera të dekonspiruara tregojnë se pasuria e saj aktuale është më shumë se 100 milionë dollarë. “Në shumicën e vendeve, akuza të tilla për seks, para dhe pushtet do të viheshin në qendër të diskutimeve kombëtare, por jo në Rusi”, thekson revista britanike.
Krivonogik dhe vajza e saj postojnë rregullisht në mediat sociale imazhe të “jetës së tyre përrallore”, dhe ndjehen të lira ta bëjnë këtë pa pasur frikë nga pasojat.
Ndërkohë thuhet se Putin ka një lidhje të gjatë me Alina Kabaevën, një ish-gjimnaste olimpike, dhe aktualisht deputete.
Ai ka mohuar të ketë një lidhje me fituesen e medaljes së artë, që kur u fol për herë të parë për lidhjen e tyre nga gazeta “Moskovsky Korrespondent” në vitin 2008. Pas publikimit të atij artikulli gazeta u detyrua të mbyllej.
Në shtatorin e vitit 2013, rivali politik i Putinit, Aleksei Navalni pretendoi se Putin dhe Kabaeva ishin martuar.
Por zëdhënësi i Putinit, i hodhi poshtë këto pretendime. Si Putin dhe Kabaeva u panë me unaza martese në duar gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit në vitin 2014, dhe Kabaeva u zgjodh të mbante pishtarin në ceremoninë e hapjes, duke ringjallur spekulimet se ajo ishte e preferuara e liderit rus.
Po ashtu thuhet se Kabaeva është nëna e një tjetër fëmije të Putinit. Madje disa media kanë folur për 2, 3 po edhe 4 fëmijë të tyre. Në gushtin e këtij viti, Kabaeva u paraqit për herë të parë në publik pas më shumë se 2 vjetësh, duke u shfaqur në emisionin politik “60 Minuta” në kanalin “Rossiya 1”, për të diskutuar mbi Lojërat Olimpike të Tokios 2020. Ajo nuk u pyet as për Putinin, apo nëse ajo ishte Zonja e Parë sekrete e Rusisë, raportoi The Mirror.