Nga fjalimi në 2001 në Parlamentin gjerman te kthesa tragjike me pushtimin e Ukrainës: Pse Putin ndryshoi mendim dhe aksion
Paolo Garimberti – La Repubblica
“Rusia është një mike e Europës, një paqe e qëndrueshme në kontinent është një objektiv themelor për kombin tonë. Ashtu si respektimi i të drejtave dhe lirive demokratike është objektivi kryesor i politikës sonë të brendshme”. Kështu fliste Vladimir Putini në Parlamentin gjerman më 25 shtator 2001, duke përdorur atë që ai vetë e kishte quajtur si “gjuhën e Gëtes, Shilerit dhe Kantit”, e mësuar në pesë vitet që kaloi në Dresden, si drejtues i seksionit lokal të KGB, me gradën nënkolonel.
Dje në New York Times Roger Cohen e ripërmendi me të drejtë atë fjalim për të nënvizuar kontradiktën midis Putinit të djeshëm dhe atij të sotëm.
Në atë kohë Putin ishte 48 vjeç, kishte qenë president i Rusisë për një vit, i sponsorizuar nga Boris Yeltsini (me sugjerim të Anatolij Chubais, i vetëdërguar ditët e fundit në Turqi) sepse konsiderohej politikisht jo inteligjent dhe lehtësisht i lakueshëm. Perëndimi flirtoi me të. George W. Bush, pasi e takoi, tha se e kishte kuptuar “thellësinë e shpirtit të tij”, duke e parë në sy. Një vit më pas u krijua Këshilli NATO-Rusi dhe vetë Putini kishte hedhur hipotezën, duke folur me Klintonin, se Rusia do t’i bashkohej Aleancës Atlantike.
Dy dekada më vonë, i njëjti njeri, i cili do të mbushë 70 vjeç më 7 tetor, filloi një luftë në zemër të Europës, duke pushtuar Ukrainën për të “denazifikuar qeverinë”, duke rrafshuar qytetet e saj , duke masakruar civilë të pafajshëm.
Ndërsa në Rusi skllavëroi gazetat dhe TV, shtypi çdo manifestim të disidencës në rrugë me dhunën e policisë së trazirave, e dënoi Alexei Navalnj me 9 vjet burg të ashpër. Dhe i përcakton kundërshtarët e tij si “tradhtarë”, të cilët rusët “do t’i pështyjnë si mushkonja që u futen aksidentalisht në gojë”.
Çfarë ka ndodhur në këto njëzet vjet, për të transformuar një partner dhe aleat të mundshëm në një kryqtar antiperëndimor dhe një tiran në vendin e tij? Ekzistojnë tre linja të metamorfozës së Vladimir Putinit.
E para është e brendshme: obsesioni pas pushtetit.
E dyta është e jashtme: sindroma i rrethimit.
E treta është ideo-fetare: mitologjia e machismo-s (“nastojashij russkij mushina” thuhet në rusisht) dhe nostalgjia për “homo sovieticus”.
E para ndodhi që në vitin 2003, kur Mikhail Khodorkovsij, atëherë njeriu më i pasur në Rusi pas privatizimeve të dekadës së Jelcinit, u dënua me “gulag” siberian. Putini u kishte thënë oligarkëve: pasurohuni, por duhet të më jeni besnikë. Khodorkovsky guxoi ta sfidonte politikisht dhe përfundoi në gjyq për “mashtrim”, nga një magjistratë që u nënshtrua menjëherë ndaj carit të ri. Në thelb ai ia doli mbanë: i kthyer nga Siberia, oligarku jeton në mërgim jashtë vendit.
Por gazetarja Anna Politkovskaya u vra në vitin 2006. Ish-agjenti i KGB-së, Aleksandr Litvinenko, i cili e kishte quajtur pushtetin e Putinit “një shtet mafioz”, u helmua me substanca radioaktive në Londër një vit më vonë. Boris Nemtsov, zëvendëskryeministri i Yelstinit dhe themeluesi i një partie opozitare, u vra në vitin 2015 pranë Sheshit të Kuq. Dhe Aleksej Navalnj, pasi shpëtoi nga një tentativë helmimi, mori një dënim të zgjatur ditët e fundit nga një gjyqtar i promovuar nga Kremlini gjatë gjyqit.
Drejtimi i dytë, sindroma e rrethimit, e ka origjinën në revolucionet “me ngjyra” të vitit 2003 në Gjeorgji dhe 2004 në Ukrainë, të cilat përkojnë me valën e dytë të zgjerimeve të NATO-s drejt satelitëve të ish-BRSS (Bullgari, Rumani, shtetet baltike). Angela Merkel-it, e cila e pyeti se cili ishte gabimi i tij më i madh, Putini iu përgjigj: “Që besoj”.
Në konferencën e sigurisë në Mynih, në vitin 2007 ai lëshoi zemërimin: “Bota ka një pronar, një pol të autoritetit, forcës dhe fuqisë vendimmarrëse” (Shtetet e Bashkuara). U injorua edhe për shkak se në atë kohë Putini konsiderohej nga George W. Bush një aleat kundër xhihadit islamik. Dhe më pas u nënvlerësua nga Barack Obama, i cili e quajti Rusinë një “fuqi rajonale” dhe më vonë dështoi të mbajë premtimin e tij për të ndërhyrë nëse Bashar al Assadi shkelte “vijën e kuqe”, të përdorimit të armëve kimike në Siri.
Në vitin 2008 pati luftë kundër Gjeorgjisë (me arsye të ngjashme me ato të Ukrainës, duke mbrojtur rusët e Osetisë dhe Abkhazisë). Në vitin 2014 aneksimi i Krimesë dhe, më pas, fillimi i luftës së “burrave të vegjël të gjelbër” në Donbassin ukrainas, ndërsa në 2016 Alepo në Siri u rrafshua përtokë, siç kishte ndodhur në Grozny të Çeçenisë dhe siç po ndodh sot në Mariupol të Ukrainës.
Komponenti ideologjiko-fetar ka një themel në macho-izmin e hapur të Putinit: “Unë nuk jam grua, kështu që nuk kam ditë të këqija”, iu përgjigj ai Oliver Stone kur ky po e intervistonte. Por mbi të gjitha në bindjen e të qenit kampion i mbrojtjes së vlerave të krishtërimit kundër dekadencës së Perëndimit (që lejon martesat mes njerëzve të të njëjtit seks, mbron homoseksualitetin dhe lartëson feminizmin).
Dhe gjithashtu nga komoditeti: aleanca me Kishën Ortodokse, e cila shkoi aq larg sa të bekonte, me patriarkun e Moskës Kirill, pushtimin e Ukrainës si një luftë kundër mënyrave mëkatare të jetesës së “Perëndimit”.
Këtyre tre sindromave, që shpjegojnë transformimin tek hipokondriaku Putin iu shtua edhe obsesioni me Covid-in, i cili e ka përkeqësuar mosbesimin dhe izolimin e tij. Sot cari i ri është një njeri i vetmuar që përballet me ambiciet, por edhe ankthet e tij. Thonë se ai ka parë dhjetëra herë pamjet e kufomës së Gadafit. Sepse ka makthin mos pëson të njëjtin fund.