Presidenti rus Vladimir Putin u filmua duke marrë pjesë në një funeral në Moskë këtë të premte i rrethuar nga roje ushtarake që mbanin me vete edhe “valixhen bërthamore” të Rusisë.
Para ca kohësh, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pati deklaruar se “Presidenti Vladimir Putin i mban gjithmonë me vete instrumentet e nevojshme të komunikimit, përfshirë ato strategjike, kudo që ndodhet”.
Presidenti rus mbërriti në Katedralen “Krishti Shpëtimtar” në Moskë, për të nderuar ultra-nacionalistin e zjarrtë Vladimir Zhirinovsky.
I veshur me të zeza, Putin bëri shenjën e kryqit përpara arkivolit të hapur të Zhirinovsky, lideri politik dhe aleati i tij i ngushtë. Ai besohet se ishte sëmurë me Covid përpara se të shtrohej në spital pavarësisht se mburrej se kishte kaluar 8 herë këtë sëmundje.
Prania e dukshme e një oficeri të lartë ushtarak që mbante aparatin e lëshimit për raketat strategjike të Kremlinit mendohet të jetë një shenjë rrëqethëse se Putini mund të përdorë edhe armë bërthamore.
Çanta, ka një çelës me kod dhe normalisht është nën mbikëqyrjen 24/7 pasi kontrollon plotësisht arsenalin bërthamor të Moskës. Thuhet se ajo mbikëqyret nga një oficer i armatosur i sigurisë, i cili shoqëron Putinin kudo që ai udhëton.
Çanta u krijua në fillim të viteve 1980 dhe iu shfaq botës për herë të parë në vitin 2019. Ekspertët thonë se aspekti më i pazakontë i çantës është se butoni i nisjes së raketave është në të vërtetë i bardhë dhe jo i kuq.
Imazhet vijnë 7 javë pasi Putin vendosi armët e tij bërthamore në gatishmëri. Frika nga lufta bërthamore është rikthyer pasi makina e luftës së Putinit u gjymtua nga mbrojtësit ukrainas.
Prania e rojeve të armatosura ruse mund të nënkuptojë gjithashtu se Presidenti është thellësisht i shqetësuar për tentativat e mundshme për atentat ndaj tij. Në momentin e vizitës së tij kisha u zbraz nga njerëzit. Ka edhe një teori se Putin kërkon t’i shmanget Covid pas spekulimeve se ai mund të vuajë nga kanceri i tiroides.