Vllaznia nuk di të ndalet më. Ekipi shkodran triumfoi 0-1 në limitet e kohësh shtesë në fushën e vështirë të Bylisit me gol të Ardit Hoxhajt, që për të disatën herë shfaqet vendimtar për formacionin e drejtuar nga Brdaric.
Në kohën shtesë Bylisi mbeti me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Ujkës e pikërisht atëherë kur u mendua se gjithçka do të mbyllej në barazim, erdhi goli me kokë i Ardit Hoxhajt, që çoi në ekstazë futbollistët dhe stafin e kuqebluve.
Vllaznia shkon në kuotën e 35 pikëve dhe ruan distancën prej 9 pikësh me Teutën, që fitoi 0-1 në Kamzë ndaj Kastriotit, me golin e Dejvi Bregut në minutën e 72-të nga goditja e lirë.
Tjetër rezultat i papranueshëm për Laçin, pas humbjes me Apoloninë në Fier. Skuadra e Shpëtim Duros barazoi 1-1 me vendin e fundit, Skënderbeun, duke humbur më shumë terren ndaj grupit të skuadrave kryesuese. Meksi kaloi në epërsi ekipin korçar në fundin e pjesës së parë, por kurbinasit u kthyen në lojë me penalltinë e shndërruar në gol nga Nëabueze në fillim të pjesës së dytë.
Kukësi më në fund sheh dritë në fund të tunelit. Pas katër humbjeve radhazi, skuadra verilindore triumfoi 1-2 ndaj Apolonisë në “Loni Papuçiu”, ku u zhvillua një ndeshje e hapur me raste të shumta në të dyja portat, por që fati ndihmoi më shumë skuadrën mike.
Agim Ibrahimi shënoi me 11-metërsh në minutë e 15-të. Pavarësisht golit të pësuar, skuadra fierake nuk u dorëzua dhe në minutën e 60-të gjeti golin e barazimit me Smaçin.
Apolonia, me entuziazmin e golit të barazimit vijoi sulmet për të marrë fitoren, por Gjata shpërdoroi një rast të pastër me kokë. E në këtë të vjen në mendje ligji i pashkruar i futbollit, nëse nuk shënon e pëson. Nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë, në minutën e 76-të, Peposhi, i shërbyer nga Leira, shënoi golin e dytë për Kukësin, që pesë minuta më vonë siguroi fitoren 1-3 me finalizimin e Ezesë.