Vllaznia u rikthye te fitorja në kampionat, teksa mposhti në “Loro Boriçi” Dinamon me rezultatin 2-1. Ishte Liridon Latifi që zhbllokoi shifrat në minutën e 15-të, pasi shndërroi në gol një penallti të fituar nga ai vetë. Në minutën e 24-t, Aralica shënoi dhe të dytin, por u anulua për pozicion jashtë loje.
Ishte përsëri sulmuesi kroat, që gjeti golin në minutën e 48-të, që këtë herë ishte i rregullt, pasi mbahej në lojë nga Prodani. Kryeqytetasit ngushtuan diferencat me Sofranak në minutën e 85-të, por vetëm kaq pasi rezultati nuk ndryshoi më.
Dinamo vazhdon në krizë të thellë rezultatesh, pasi nuk njeh fitore prej 7 ndeshjesh dhe mban vendin e parafundit në renditje me 20 pikë, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën. Vllaznia renditet në vendin e katërt me 38 pikë, po aq sa Kukësi i vendit të tretë, me të cilët përballet të hënën.