Një ndër indikatorët që sinjalizon më së shumti ndikimin e krizës së çmimeve në ekonominë e familjeve shqiptare është ai depozitave. “Scan intel” i ka analizuar dhe përpunuar shifrat zyrtare për të kuptuar se në cilat qytete të vendit ka pasur më shumë ndikim kriza e çmimeve. Shifra zyrtare i referohet tremujorit të dytë të vitit, vetëm për individët, periudhë që përkon edhe me nisjen e krizës. Shifrat e analizuara dhe përpunuara tregojnë se në 3 ndër 8 qytete që Banka e Shqipërisë raporton, dhe që përkojnë edhe me 8 prej qarqeve më të mëdha në vend, depozitat bankare të individëve janë tkurrur gjatë tremujorit të dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë, kur edhe kriza nuk kishte kulmuar ende.
Tre qytetet që sipas këtyre shifrave duket të jenë edhe ato që janë goditur më së shumti nga kriza e çmimeve janë: Fieri, Shkodra dhe Vlora.
Në Fier depozitat e individëve në sektorin bankar, si në lekë ashtu edhe në valutë janë tkurrur me 0.04% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin pararendës.
Më pas ndjek Shkodra, me një tkurrje të depozitave të individëve prej 0.12%.
Vlora ndërkohë duket të jetë qyteti më i “goditur” nga kriza, me depozitat bankare të individëve që janë pakësuar me 0.44% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë. Nga krahu i kundërt i tabelës, si qytetet ku duket se kriza nuk ka pasur efekt, të paktën sa i përket depozitave, rezulton të jetë Tirana kryesuese, me një rritje të depozitave me 2.74%, ndjekur nga Durrësi, me 1.14% rritje dhe Lezha me 1.03% rritje. Edhe Elbasani me Korçën regjistrojnë gjithashtu rritje të depozitave bankare për individët gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti, paçka se në terma më të ulët. Në qytetet e tjera të cilat nuk kanë një referencë gjeografikë ndërkohë, rezulton se, depozitat janë rritur në total me rreth 1.3%.
Ndërkohë, me ndryshime mjaft të vogla vëmë re edhe renditjen në terma absolutë. Në Fier depozitat bankare janë pakësuar me 23 milionë lekë, në Shkodër me 62 milionë lekë dhe në Vlorë me plot 332 milionë lekë, ose rreth 2.9 milionë euro. Në Tiranë ndërkohë, depozitat bankare të individëve gjatë tre muajve kur kriza ka kulmuar janë rritur me 12.3 miliardë lekë, ose rreth 105 milionë euro.