Gjykata e Vlorës ka dhënë vendimin për 4 ushtarakët e akuzuar për vjedhjen e armëve dhe municioneve në 10 nëntor të vitit të kaluar në bazën ushtarake të Pashalimanit.
Ardit Ramaj është dënuar me 16 muaj burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Lesko Ramosaco është dënuar me 16 muaj burg, ndërsa me 20 muaj burg është dënuar Ervis Memsulaj. Për Edlir Nelaj, është dhënë 12 muaj burg të konvertuar në 200 orë punë në interes publik.
Në këtë bazë ushtarake kishin bërë roje dhe një infermier dhe student dhe baza ushtarake, siç pretenduan avokatët, nuk kishte rrethim. Madje në pjesën që është kryer vjedhja nuk ka pasur ndriçim dhe nuk ka kamera në atë zonë.
Studenti, infermieri dhe dy oficerë roje janë të arrestuar dhe dënuar për akuzën “shkelje e rregullave të shërbimit të rojes në objekte të rëndësishme me pasoja të rënda”.
Infermieri i arrestuar, Edlir Nelaj, gjatë procesit dëshmoi në gjykatë duke thënë: “Unë jam infermier i qendrës shëndetësore Pashaliman, nuk kam punë të bëj shërbim. Por, meqë këta thonë do shkosh atje se nuk kemi njerëz, na mbajnë të sforcuar. Nuk më takon të bëj shërbim”.
Ai u dënua me akuzën e falsifikimit të dokumenteve pasi ka firmosur në vend të rojes që nuk ishte.