Aktualitet Vodhën dy persona në sheshin “Skënderbej”, arrestohet 17-vjeçari. Në kërkim shoku i...

Vodhën dy persona në sheshin “Skënderbej”, arrestohet 17-vjeçari. Në kërkim shoku i tij

Pritën orët e para të mëngjesit për të hyrë në aksion. Është kjo ajo që kanë bërë dy 17-vjeçarë në Tiranë. Ata vodhën dy persona në mes të kryeqytetit, në sheshin “Skënderbej”.

“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit ditën e djeshme, në sheshin “Skënderbej”, rreth orës 03:20, dy persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e një arme, i kishin vjedhur një shumë parash dy shtetasve dhe më pas ishin larguar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre”, njoftoi policia.

Një prej autorëve u kap pak metra larg sheshit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Policia thotë se po vijon puna për kapjen e tjetrit.

Në hetimet rezulton se bëhet fjalë për një pistoletë imituese. Por jo vetëm kaq. Dy të rinjtë rezultojnë se janë autorë edhe të vjedhjes së një farmacie në kryeqytet.

Uniformat blu kanë sekuestruar edhe një biçikletë që adoleshentët përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.