Aktualitet Vodhi arkat e kursimit në market, por edhe makinën e parkuar. Kapet...

Vodhi arkat e kursimit në market, por edhe makinën e parkuar. Kapet hajduti në Lushnje

Policia ka arrestuar një 43-vjeçar në Lushnje. Sipas policisë ai ka vjedhur në një market produkte të ndryshme dhe dy arka kursimi. Por nuk është mjaftuar me kaq, ai ka grabitur edhe një makinë të parkuar jashtë. Mësohet se 43-vjeçari është dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.

“Vodhi një automjet, produkte të ndryshme dhe 2 arka kursimi në një market, gjatë natës, veprimet e shpejta hetimore identifikojnë dhe çojnë në pranga 43-vjeçarin, i dënuar më parë për vjedhje. Gjenden në banesën e tij dhe sekuestrohen automjeti, 2 arkat e kursimit me shuma parash dhe produktet e vjedhura. Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga pronari i një marketi, në fshatin Golem i Vogël, se gjatë natës i kishin vjedhur disa produkte dhe 2 arka kursimi me vlera monetare, në marketin e tij, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi R. B., banues në fshatin Golem i Vogël, ka dëmtuar dritaret e marketit në pronësi të shtetasit T. B. dhe ka vjedhur aty, produkte të ndryshme ushqimore dhe 2 arka kursimi me para. Më pas, shtetasi R. B. ka vjedhur një automjet të parkuar pranë këtij marketi dhe ka transportuar me të, produktet e vjedhura, në banesën e tij. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin R. B., 43 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Po punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”, thuhet në njoftimin e Policisë.