38-vjeçari Sebastian Varaku alias Ervin Varaku nga Shijaku është vënë në pranga në Itali. Ai rezulton i dënuar nga gjykata e Durrësit me 6 vjet e 8 ditë burgim. Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 7 ditë burgim për vjedhje banke.
“Në vitin 2015, në Shijak, Durrës, një shtetas i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe ka marrë një sasi parash. Nga hetimet rezultoi se autor i kësaj vepre penale ka qenë shtetasi Sebastian (Ervin) Varaku”, njoftoi policia.
Po ashtu, në Itali është arrestuar edhe një 52-vjeçar italian me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasit S. C., A. D. dhe S. C., në bashkëpunim me shtetasit shqiptarë I. Q. dhe E. B., kishin krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare”, njoftoi policia.
E teksa autoritetet punojnë për ekstradimin e dy personave më lart, një 40-vjeçar është ekstraduar ndërkohë.
“Gjithashtu, falë bashkëpunimit, u ekstradua nga Italia drejt vendit tonë, shtetasi Elmir Dashi, 40 vjeç, pasi në vitin 2018, Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formulareve”, kryer bashkëpunim”, njoftoi policia.