Këto pamje të policisë tregojnë momentin kur 40-vjeçari G.N. në Laç vodhi një makinë tip Lancia të parkuar poshtë pallatit.
Ka qenë denoncimi i pronarit të mjetit që vendosi në lëvizje policinë. Nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe veprime të tjera hetimore, u zbulua vjedhja e automjetit.
Brenda 24 orëve, uniformat blu arritën të gjenin mjetin e vjedhur dhe arrestuan autorin.
Shërbimet policore të Komisariatit Kurbin lokalizuan makinën e vjedhur në një rrugicë dytësore dhe autori po tentonte të largohej së bashku me automjetin në drejtim të një qarku tjetër me qëllim shitjen e mjetit.
Drejtuesi i mjetit, në momentin që ka parë shërbimet e policisë, ka devijuar rrugën në tentativë për t’u larguar bashkë me automjetin, por nuk ka mundur dhe në këto kushte, duke shfrytëzuar edhe përfituar nga errësira e natës, ka braktisur mjetin dhe është larguar me vrap.
Por ai u kap nga uniformat blu dhe u arrestua për akuzën e vjedhjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.