Ardian Isufi është një nga të arrestuarit të cilët menjëherë pasi doli nga burgu prej amnistisë, kreu sërish vjedhje dhe për këtë ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka pasur një reagim.
Ai njoftoi se të gjithë emrat e personave që janë përfitues të amnistisë do të ketë një monitorim të veçantë në mënyrë që të shmangen ngjarjet kriminale.
Balla theksoi se të gjithë përfituesit të mos e marrin amnistinë si dobësi, por si mesazh që t’i rikthehen një jete normale larg veprave penale.
“Kjo është një prej arsyeve të beftë të vizitës time në DVP Korçë. Gjej rastin t’i përgëzoj për reagimin e menjëhershëm, ju e dini që amnistitë janë gjithmonë të mirëpritura dhe qeveria shqiptare i propozoi Kuvendit pikërisht ndërmarrjen e një hapi të tillë, por ne e dimë që në këto raste pas amnistive, ekziston mundësia për t’i rikthyer përsëri aktivitetit të tyre kriminal.
Rasti që përmendët është person i të njëjtës vepër penale dhe nuk i ka rezistuar tundimit, por kjo nuk do të thotë që policia nuk e ka vigjilencën e duhur dhe i gjithë operacioni për ta rikthyer në qeli është bërë nga DVP Korçë falë inteligjencës policore dhe veprimeve të menjëhershme.
Në këtë aspekt dua t’ju rikujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia që është në të mirën e tyre që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë mos e marrin si dobësi, por si mesazh që t’i rikthehen një jete normale larg veprave penale. Policia e shtetit në komunikim me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po administron të gjithë emrat e personave që janë përfitues dhe do të ketë një monitorim të secilit prej tyre në mënyrë që të shmangen ngjarjet kriminale”, u shpreh Balla.