Për shkak të sulmit ushtarak turk në Siri, Volkswagen-i ka ngrirë planet për një fabrikë automjetesh me vlerë 1.4 miliardë euro në Turqi. Bullgaria dhe Rumania shpresojnë tani të fitojnë kontratën.
Veçanërisht Bullgaria, e cila konkurroi fillimisht me Turqinë, Serbinë dhe Rumaninë për investimet e diskutueshme të VW, po përpiqet me të gjitha forcat që të rikthehet në lojë dhe ta fitojë marrëveshjen. Ish-Presidenti bullgar Rossen Plevneliev, kryetar nderi i rrjetit të fuqishëm Automobile Cluster Bulgaria, njoftoi se Sofja e ka rritur ofertën e saj fillestare dhe “gjeti një mënyrë për t’i ofruar Volkswagenit midis 250 dhe 260 milionë euro, në vend të 135 milionë eurove”. Plevnelievi tha se vendi i tij në thelb tashmë e ka bërë ofertën dhe është duke pritur përgjigjen nga VW.
Po të marrësh parasysh infrastrukturën, lidhjet hekurudhore dhe autostradat në Elin Pelin afër Sofjes, ku është propozuar terreni për një fabrikë të ardhshme, oferta do të jetë mjaft bujare – totali do të arrijë 800 milionë euro.
A ka qenë Bullgaria një alternative e vërtetë?
Sado joshëse të duket, oferta e re nuk do të thotë automatikisht që VW tani do të shfrytëzojë “opsionin e dytë” – Bullgarinë. Përparësitë e Bullgarisë janë taksat e ulëta dhe anëtarësimi në BE. Megjithatë, kjo e fundit është pikërisht arsyeja, pse ky vend nuk mund t’i japë VW subvencione të drejtpërdrejta shtetërore.
Burime në Sofje pranuan se “ndërmarrja gjermane ka shumë të ngjarë që kurrë nuk ka qenë në mëdyshje të investojë apo jo në Turqi, kurse Sofja ka mbetur në garë thjesht si levë për një marrëveshje më të mirë me Erdoganin”. Plewneliev njoftoi se Bullgaria do të paraqiste një ankesë në Komisionin Evropian, pasi VW dhe Turqia nuk u përmbahen rregullave të konkurrencës në BE.
Rumania fut veten në lojë
Rumania gjithashtu mendon se ka mundësi ta fitojë kontratën për investimin. Qyteti i Aradit në kufirin perëndimor të Rumanisë me Hungarinë dhe Serbinë do të ishte, nga këndvështrimi rumun, vendndodhja ideale për fabrikën e re VW. Një lidhje e mirë me Evropën Perëndimore dhe punë e lirë – madje edhe nga vendet fqinje – do të ishin avantazhe të qarta për këtë vend, u tha në Bukuresht. Ministri Rumun i Tregtisë, Stefan-Radu Oprea konfirmoi se qeveria në Bukuresht ka rifilluar bisedimet me Grupin Volkswagen për të sjellë investimin në Rumani.
Si gjysmë shekulli më parë…
Si Bukureshti, ashtu dhe Sofja bënë të ditur se do t’i përmbahen me rreptësi kërkesave të Bashkimit Evropian. Subvencionet e ofruara nuk do të shkelin rregullat e tregut të përbashkët. Volkswageni ende nuk i ka komentuar iniciativat e reja nga Bullgaria dhe Rumania.
Në Rumani që në fund të viteve 1960 tregonin se VW ishte i interesuar për një fabrikë në Rumaninë e atëhershme komuniste. Por diktatori Nikolae Çaushesku nuk e kishte pranuar as vendndodhjen e preferuar të grupit në Transilvani dhe as nuk pranoi që një kontigjent i pjesëtarëve të pakicës gjermane të punësoheshin. Kontratë për një fabrikë automjetesh atëherë mori Renault, kompania mëmë franceze e prodhuesit rumun të automjeteve Dacia./DW