Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të zhvillojë një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor, ku do të nisë pikërisht nga Shqipëria një agjendë të ngjeshur të saj, me fillim më 23 tetor.
Sipas agjendës së Presidentes së KE-së, në Tiranë do të ketë takime në dy ditë, ku me mbërritjen e saj, do të takojë fillimisht kryeministrin, Edi Rama. Më tej, po më 23 tetor, do të ketë edhe një fjalim në ceremoninë inauguruese të Kampusit të ri të Kolegjit të Evropës në Tiranë.
Ditën e dytë ndërkaq, në agjendën zyrtare parashikohet një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Vizita vjen në vazhdën e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili edhe mund të prezantohet zyrtarisht me fondet për të gjashtë vendet e rajonit gjatë këtij turi të von der Leyen.
Gjatë pasdites, ajo do të udhëtojë më pas për në Maqedoninë e Veriut, ku do të ketë takime me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Vizita në RMV do të zgjasë vetëm gjysmë dite, pasi më pas, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, për të inspektuar zonat e prekura nga përmbytjet. Më 25 tetor, ajo do të ketë më pas edhe takim me kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.
Po më 25 tetor, do të udhëtojë më pas drejt Serbisë, ku do të takohet si me presidentin, Alekdandar Vuçiç, ashtu edhe me kryeministrin, Milos Vuçeviç.
Data 26 tetor do të jetë e ndarë mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Në Kosovë, von der Leyen pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizita në Ballkan përmbyllet me takimet në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.