Reputacioni i Kinës është në rrezik nëse ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet ndërkombëtare, ka paralajmëruar presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pas një samiti online me presidentin e Kinës Xi Jinping.
“Një zgjatje e luftës dhe më shumë përçarje në ekonominë botërore nuk është në interesin e askujt”, shkruajti ajo në një postim në Twitter.
Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ndërsa BE ka vendosur sanksione ndaj Moskës. Xi tha se Kina dhe Europa duhet të ofrojnë stabilitet në një botë të paqëndrueshme, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por nuk u duk se kishte ofruar ndonjë propozim për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha se Kina kishte rënë dakord se “kjo luftë po kërcënon sigurinë globale dhe ekonominë botërore”.
Të enjten, kreu i spiunazhit në Britaninë e Madhe tha se mbështetja e Moskës, nuk do të kishte ndikim pozitiv në interesat afatgjate të Kinës.