Kryesore Von der Leyen sërish në krye të KE, Rama: Mezi pres të...

Von der Leyen sërish në krye të KE, Rama: Mezi pres të vazhdoj punën me Presidenten për ta futur Shqipërinë në BE

Rizgjedhja e Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian, për kryeministrin Edi Rama është një lajm i mirë, që shënon fillimin e një kapitulli të ri për Bashkimin Europian.

Kreu i qeverisë thotë se ka besim të plotë te drejtimi i von der Leyen dhe qëndrimi që ajo ka për Ballkanin Perëndimor.

“Vota e Parlamentit Evropian për rizgjedhjen e Ursula Von Der Leyen është një deklaratë e fuqishme që shënon fillimin e një kapitulli të ri në qeverisjen e Bashkimit me një hyrje rigjallëruese. Shqipëria e mirëpret këtë deklaratë me shpresë të përtërirë dhe besim të plotë te lidershipi i Ursulës. Ne përgëzojmë qëndrimin e saj të qartë për Ballkanin Perëndimor në fjalimin e saj sot në Parlamentin Evropian. Mezi pres të vazhdoj punën me Presidentin e Komisionit për ta futur Shqipërinë në BE dhe për të integruar më tej BE-në me Ballkanin Perëndimor”, thotë Rama në deklaratën e tij.

Ursula von der Leyen siguroi një mandat të ri 5-vjecar, si president e Komisionit Europian, pas një votimi të fshehtë të eurodeputetëve. 65-vjeçarja siguroi mbështetjen e 401 pjesëtarë të parlamentit, gjatë votimit në Strasburg, 41 më shumë nga sa i nevojiteshin.