Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell vizituan një varr masiv në Bucha, qyteti pranë Kievit ku forcat ruse akuzohen nga Perëndimi se kanë kryer masakra ndaj popullsisë civile.
Teksa vizitonte varret, Von der Leyen u shpreh se Bucha është shembulli i shkërmoqjes së njerëzimit.
“E pamendueshmja ka ndodhur këtu, ku kemi parë fytyrën mizore të ushtrisë së Putin. Kemi parë çmendurinë dhe zemër ftohtësinë me të cilën ata kanë pushtuar qytetin. Këtu në Bucha pamë njerëzimin të shkërmoqet dhe e gjithë bota po ndan dhimbjen me banorët e qytetit”, tha presidentja e KE-së.
Von der Leyen u dërgoi qytetarëve të guximshëm të Ukrainës mesazhin se BE qëndron pranë tyre dhe do të vazhdojë t’i mbështesë ata sa më shumë. “Ne e dimë që ju po luftoni për vlerat tona të përbashkëta dhe që demokracia do të fitojë”, tha më tej Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian njoftuan gjithashtu 500 milionë euro ndihmë në formë armatimesh për Ukrainën, duke e çuar totalin e ndihmave në 1.5 miliard euro që nga nisja e pushtimit rus.
Para se të shkonin në Bucha ata vizituan Kievin për t’i ofruar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky mbështetje dhe siguri lidhur me kërkesën e tij për anëtarësim në BE.
Duke udhëtuar me tren nga Brukseli në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm që ajo po i sillte Zelenskyt ishte se “do të ketë një rrugë drejt BE-së” për Ukrainën.
“Zakonisht duhen vite përpara se Këshilli i BE-së të pranojë një aplikim për anëtarësim, por Ukraina e bëri këtë brenda një ose dy javësh dhe unë dua që të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.
“Qëllimi ynë është të paraqesim kërkesën e Ukrainës në këshill këtë verë.”
Kryediplomati i BE-së, Borrell u tha gazetarëve se vizita ishte një sinjal se “Ukraina ka nën kontroll territorin e saj” dhe qeveria vazhdon të drejtojë vendin.
“Ukraina nuk është një vend i pushtuar, i dominuar. Ka ende një qeveri që pret njerëz nga jashtë vendit dhe mund të udhëtohet në Kiev,” tha Borrell.