Partia Demokratike ka vendosur që të votojë pro zgjatjes së Vettingut. Edhe pse ka pasur kritika, kryetari i PD Lulzim Basha tha se sot nuk është drejtësia që duam, por do të ishte më keq që ky proces i nisur të përfundonte këtu dhe të ndërpritej integrimi i vendit.
Prandaj ai u shpreh se PD-ja për integrimin e vendit do të bëjë gjithçka. Ndër të tjera, Lulzim Basha tha se Trekëndëshi i Bermudës, siç quan ai Ramën, Berishën dhe Metën, bënë gjithçka që të largojnë nga Shqipëria Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit në mënyrë që Vettingu të shkonte në drejtim të paditur.
“S’kemi ndryshuar qëndrim asnjëherë. Reforma në drejtësi ka pasur ecejaket e saj, ka pasur ngecje, ka pasur devijime, vazhdon të ketë ngecje dhe devijime. Brenda pak ditëve Trekëndëshi i Bermudës, Edi Rama i pari, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka që të largojnë OMN-në nga Shqipëria dhe pastaj të shkojë në drejtim të paditur. Me gjithë problemet, përfshirë këtu edhe anëtarë të Komisioneve të KPK-së dhe KPA-së të korruptuar, të pezulluar prapë se prapë ka një dhe vetëm një shans, që Shqipëria të behet pjesë e Evropës, që pasuritë e shqiptarëve të mos i kenë një grusht njerëzish, që politikanët e korruptuar të shkojnë në burg një nga një siç kanë filluar të shkojnë në burg një më një dhe që pasuritë të mos jenë në duart e një grushti oligarkësh, por të jenë në duart e të gjithë shqiptarëve dhe që kriminelët mos të jenë në Parlament dhe në bashki dhe kjo është një drejtësi që funksiono. Sot nuk është drejtësia që duam, por do të ishte akoma më keq në qoftë se një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar do mbetej në mes dhe o kështu do të ndërpritej integrimi europian i vendit.
Prandaj jo vetëm nuk po i biem ndesh asaj që kemi thënë, por po bëjmë atë që kemi thënë. Për hir të integrimit të vendit do të bëjmë gjithçka aq më shumë t’i japim shanset një drejtësie që të korrigjohet, të ngrihet në këmbë dhe të shkundet nga frika e t’ju hedhë prangat çdo qytetari të republikës që shkel ligjin jo vetëm gjynahqarëve dhe njerëzve pa akses apo që detyrohen në krim nga varfëria, por duke e nisur nga më të pushtetshmit, nga politikanët dhe nga bosët e krimit të organizuar”.
Po ashtu, Basha lajmëroi ngritjen e dy komisioneve, atë për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
“E dyta, po kështu kam kënaqësinë të ndaj përmes jush që sot Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë edhe miratimin e dy komisioneve të rëndësishme që janë prioritete kombëtare. Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale. Janë angazhime para shqiptarëve”, tha Basha.
Lulzim Basha tha se zgjatja e afateve të vettingut vjen për faktin se PD dhe aleatët euroatlantikë, janë krah për krah për 3 prioritete kryesore të shqiptarëve: luftën pa kompromis kundër korrupsionit, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.
“Ne nuk japim votë PS, PS sot donte që vettingu t’i kalonte KLGJ dhe KLP ku Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe të tjerë krerë të PS kontrollojnë KLP dhe KLGJ. KLGJ dhe KLP janë të kapura në PS. Të paktën në rastin e vettingut sipas komisioneve, ndonëse dhe aty ndodhen pinjollë qeveritarë ka një monitorim ndërkombëtar, ka të paktën 2 anëtarë, njëri tashmë i pezulluar, tjetri para drejtësisë. Ka një garanci më shumë. Është arsyeja për të cilën e kemi votuar para 5 vjetësh.
Ne sot me ndihmën e partnerëve euroatlantikë dhe dua të falenderoj SHBA, BE, ambasadorët Kim dhe Soreca në veçanti sepse nuk ka qenë vullneti politik i PS që sot të votoheshin këto të dyja. Tani është vullnet për shkak të faktit që PD dhe aleatët tanë euroatlantikë, janë krah për krah për 3 prioritete kryesore të shqiptarëve: luftën pa kompromis kundër korrupsionit, reformën territoriale dhe reformën zgjedhore”.