Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas miratimit në Parlament të ligjit për zonat e mbrojtura.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, delegacioni i BE thotë se BE do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Po ashtu në njoftim thuhet se në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, ku legjislacioni shqiptar duhet të përafrohet me standardet europiane, duhet që miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE të bëhet me konsultim të gjerë publik.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.
Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, shkruan delegacioni i BE.
Pas deklaratës së BE-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama që thotë se është në një mendje me Bashkimin Europian.
“Me vizionin e #Shqipëria2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama.
💯% në një mendje me Bashkimin Europian!
*Me vizionin e #Shqipëria2030🇦🇱 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot… pic.twitter.com/m0j2JYgK0S
— Edi Rama (@ediramaal) February 22, 2024
Më herët, deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se Shqipëria shumë shpejt pritet të marrë një notë protestë nga Bashkimi Europian në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura, të cilin mazhoranca e miratoi në seancën e fundit të Kuvendit, vetëm me votat e saj.
Sipas Tabaku, ligji është tërësisht korruptiv dhe parashikon 14 investime strategjike në zonat e mbrojtura, teksa shqetësimet e saj i ka përcjellë deri në instancat më të larta vendase dhe europiane.