Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin në Kuvend të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA në Tiranë thekson se votimi i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike”, thuhet në reagimin e ambasadës duke shtuar se SHBA mbetet e përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.
Vendimin e Kuvendit për votimin e dy anëtarëve të rinj të “Kushtetueses” e përshëndeti edhe BE.
“Sot Parlamenti zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e delegacionit.