“Dështimi i marrëveshjes së Brexit do të ishte një thyerje e pafalshme dhe katastrofike e besimit në demokracinë tonë”.
Me këto fjalë, kryeministrja britanike Teresa May u ka bërë sërish thirrje ligjvënësve që ta miratojnë atë në votimin që do të mbahet ditën e martë.
Në një shkrim të botuar në numrin e së dielës të “Sunday Express”, May ka nënvizuar se, votimi i akordit që ajo ka negociuar me Brukselin është hapi më i madh dhe më i rëndësishëm i të gjitha legjislaturave të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas mediave britanike, shanset janë që kryetarja e qeverisë të dalë e humbur në votimin e së martës, një opsion ky që sipas ministrave të saj do të fusë vendin në një paralizë të rrezikshme.
Në shkrimin e saj, May është shprehur se, politika nuk mund t’i kthejë shpinën qytetarëve që i besuan një procesi politik kaq të rëndësishëm në dekada.
“Ne nuk mund t’i zhgënjejmë ata. Një gjë e tillë do të ishte një thyerje katastrofike dhe e pafalshme e besimit në demokracinë tonë. Ndaj mesazhi im drejtuar Parlamentit është i qartë: Është koha të lëmë mënjanë lojërat dhe të bëjmë gjënë e duhur për vendin tonë”, ka thënë May. Në rast të kundërt, ka paralajmëruar kryeministrja, Britania rrezikon të dalë nga BE pa një marrëveshje, ose që Brexit të mos ndodhë fare. Ndërkohë, qeveria i druhet kalimit të procesit të Brexit nën kontrollin e ligjvënësve nëse vota e së martës dështon.
Gazeta “Sunday Times” raporton për planin e një grupi deputetësh për të ndryshuar rregullat e Dhomës së Përfaqësuese, për të fituar pushtet kundrejt ekzekutivit nëse projekti i zonjës May dështon.