Mes debateve, deputetët e mazhorancës miratuan pas mesnate projektligjet e kundërshtuara nga opozita. Në seancën e fundit maratonë, në Parlament u miratua projektligji për studentët e Mjekësisë.
Nga 95 deputetë që ishin prezent në seancë, projektligji u votua me 71 vota pro, 23 kundër. Tashmë studentët e Mjekësisë duke filluar që nga ky vit do duhet që në përfundim të studimeve të tyre të qëndrojnë me detyrim 5 vite në Shqipëri për të ushtruar profesionin.
Edhe pse shkaktoi përplasje të forta në parlament mes kampeve politike, mazhoranca përdori edhe njëherë forcën e kartoneve në parlament duke miratuar me 69 vota pro, 23 kundër e 3 abstenime projektligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Projektligji për Akademinë e Shkencave u miratua po me votat e mazhorancës ndërsa kryetarit i lejohet një mandat i dytë, ndërsa u hoq edhe kufizimi i moshës 75 vjeç.
Nuk munguan as debatet personale në Kuvend mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe Avokati i Popullit u shtynë për në Shtator së bashku me ligjin për lojrat e fatit.