Aktualitet Vranë 25-vjeçarin shqiptar në Athinë në 2008, arrestohen dy persona në Korçë

Vranë 25-vjeçarin shqiptar në Athinë në 2008, arrestohen dy persona në Korçë

Foto ilustruese

Dy persona janë arrestuar për vrasjen e një 25-vjeçari shqiptar në Athinë, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2008.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në zbatim të letër-porosisë së dërguar nga Athina me qëllim identifikimin e dy autorëve të tjerë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2008, në bashkëpunim me Prokurorinë rihapën hetimet për identifikimin e dy bashkautorëve të tjerë të vrasjes së 25-vjeçarit.

Në vitin 2008, gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë shtetasi A. Xh. dhe u plagos një tjetër dhe për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, bëri të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasve: G. L., 41 vjeç, banues në Elbasan dhe A. T., 52 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët Prokuroria kishte nxjerrë urdhër-ndalimi për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Vijojnë hetimet e përbashkëta në lidhje me dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ekstradimin e tyre drejt shtetit grek.