Gjykata e Apelit Tiranë la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për vëllezërit Sajmir e Arsil Shera, të akuzuar për “vrasje me paramendim” të shoferit të taksistë Abdulla Budlla, pas dyshimeve të një raporti intim mes tij dhe nënës së tyre.
Vendimi i Apelit la në fuqi dënimin me 14 vjet e 8 muaj burg për Sajmir Sherën dhe atë me 10 vjet burg ndaj vëllait të tij, Arsil Shera.
Vrasja e 71-vjeçarit, Abdulla Budlla, ndodhi në gusht të vitit 2020 në zonën e Fushë-Prezës në aksin Vorë–Fushë Krujë. Taksisti u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa ndodhej në mjetin e tij të ndaluar pranë kryqëzimit të Rinasit.
Vëllezërit Shera ishin të dyshuarit e parë të Prokurorisë për shkak të një konflikti të mëhershëm mes tyre dhe taksistit.
Dyshimet u përforcuan edhe pas zbulimit të komunikimeve të gjata telefonike mes viktimës dhe nënës së dy të dyshuarve.
Sipas prokurorisë, motiv i krimit ka qenë dyshimi i dy vëllezërve për një raport mes nënës së tyre dhe taksistit, ndërsa kanë pasur dyshime se ai po u ngacmonte edhe motrën.
Gjatë hetimit, Sajmir Shera ka pranuar krimin, por ka përjashtuar vëllain e tij.