Aktualitet Vrasës me pagesë dhe ‘ushtar’ i Vis Martinajt, kush është Hektor Xheçuka...

Vrasës me pagesë dhe ‘ushtar’ i Vis Martinajt, kush është Hektor Xheçuka që u shpall në kërkim për pengmarrjen në Tiranë

Ervis Xhixha dhe Tori Xhecuka

! Dyshohet se u arratis në Dubai

Hektor Xheçuka, ushtari i Ervis Martinajt është shpallur në kërkim pasi rezulton i përfshirë në një pengmarrje në Tiranë.

Bashkë me 6 persona të tjerë dhunuan 35-vjeçarin Ervis Xhixha dhe i kërkuan 70 mijë euro.

Ervis Xhixha po ashtu është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua në vitin 2019, për shkak se tentoi të vrasë në Zall Herr Bujar Beshirin, pas një konflikti me këtë të fundit, por më pas qëlloi në ajër.

Xheçuka dyshohet se është arratisur në Dubai.

Por kush është Xheçuka?

36-vjeçari njihet si pjesë e grupit të Ervis Martinaj dhe dyshohet si vrasës me pagesë i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale. Ai është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme pas zbërthimit të bisedave në Sky ECC ku u lëshuan 50 urdhër arreste.

Komunikimet në aplikacionin Sky ECC zbuluan se ai kishte marrë përsipër vrasjen e të fortit të Niklës, Durim Bami për llogari të bosit të lojërave të fatit, Ervis Maritnaj, i zhdukur prej gushtit 2022.

Hektor Xheçuka është një emër i njohur për botën e krimit pasi rezulton i përfshirë në vrasjen e Emiljano Boçit, ku mbeti i plagosur edhe shoku i këtij të fundit, ndërsa e dashura e viktimës që ndodhej në mjet i shpëtoi plumbave. Ngjarja ndodhi më 14 Janar të vitit 2018 në afërsi të Policisë Bashkiake dhe 36-vjeçari u arrestua si autor i dyshuar i krimit.

Emiljano Boçi, kishte vetëm 3 javë që ishte kthyer nga Gjermania ndërroi jetë në spital. Ai dhe miku u tij Melvi Disha u qëlluan sapo kanë hipur në makinën tip “Range Rover”, me targa gjermane, ngjyrë e bardhë. Në nëntor 2018, policia vendosi në pranga të riun me dy emra si autor të dyshuar të ngjarjes, por u lirua nga qelia më 25 prill të vitit 2019 për mungesë provash.

Hektor alias Tori Xheçuka ka qënë I dënuar për plagosjen e Enrik Metës, në zonën e Burrelit. Ushtari i Martinajt ka qenë i përfolur edhe në vrasjen e Ajet Zeqajt. Ai u vra në muajin mars të 2016 në ish-Bllok. Ajet Zeqaj u qëllua pas shpine disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në atë kohë u përfol për një vrasës me pagesë, por asnjëherë nuk u vërtetua lidhja e Xheçukës me këtë ngjarje kriminale.

Përveç Hektorit, probleme me drejtësinë ka edhe vëllai i tij, Elsoni, i cili është akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur në shkurt 2021 në Fier.