U torturua dhe u vra, pati të njëjtin fat me atë të viktimave të tij. Kështu shkruajnë mediat italiane për autorin e vrasjes së një personazhi të njohur në Itali, Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diaboliku”. Mësohet se ai që ka qëlluar ndaj tij ka qenë shqiptar, më saktësisht një person rreth të 40-ave që dyshohet se ka kryer disa krime në Itali.
Por vetë autori shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet, është vrarë gjithashtu. Vrasja e tij ka ndodhur në Shqipëri pasi është torturuar. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, vrasësi shqiptar pasi është kthyer në Shqipëri është marrë dhe është vrarë në shenjë hakmarrjeje për disa çështje kriminale.
Dyshohet se ky autor ka lidhje edhe me një vrasje tjetër të ndodhur në Itali në mes të ditës. Kjo ngjarje ka ndodhur në një zonë të populluar, ku në fund u vra me plumba shqiptari Selavdi Shehaj, një 38-vjeçar. Ai po punonte në biznesin e partneres së tij kur u qëllua nga dy persona të cilët kishin mbuluar fytyrën. Edhe pse u dërgua në spital, gjendja e tij u përkeqësua, derisa ndërroi jetë.
Ajo që i lidh të dyja ngjarjet është autori shqiptar dhe fakti se mbeten ende të pazbardhura. Mediat thonë se Diaboliku ishte në krye të disa punëve të pista kryesisht me shitje droge. Ai punonte për të gjitha palët, si për Camorra ashtu edhe për Ndragheta. Autoritetet dyshojnë se Piscitelli ka shkelur në kallo dikë dhe për këtë arsye vrarë. Megjithatë fakt është që është vrarë nga një shqiptar, por se çfarë fshihet nga pas, nuk dihet prej 2 vitesh.
Piscitelli ishte kreu i ultrasve të Lazio-s.