Genc Tafilaj, i dënuar për vrasjen e ish-drejtorit të policisë, Arben Zylyftari është ekstraduar nga Gjermania.
43-vjeçari nga Shkodra i dënuar me 25 vjet burg, ka kryer një pjesë të dënimit dhe i kanë ngelur për të kryer edhe 6 vjet burgim.
Në gusht 2000, Tafilaj në bashkëpunim me babanë e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.
Tafilaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në gusht 2021 pak muaj pasi kishte fituar lirinë me kusht.
Genc Tafilaj ishte një prej të dënuarve që fitoi lirinë para kohe me vendim të Gjykatës së Krujës në nëntor 2017, dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Vendimi për lirimin me kusht u rrëzua nga Gjykata e Apelit Tiranë në maj 2021 duke kërkuar rikthimin e tij në qeli.
Tafilaj u arrestua në aeroportin e Frankfurtit në Gjermania në janar të këtij viti ndërsa po përpiqej të nisej për në Stamboll.