Pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka dalë këtë të mërkurë në një deklaratë për mediat, ku adresoi problemin e sigurisë në shkolla. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë përveç hedhjes në diskutim të mbylljes së TikTok dhe Snapchat, njoftoi edhe nisjen e projektit të sistemit digjital të kontrollit të çdo shkolle dhe klase, i cili sipas tij do të përfundojë brenda 20 muajve.
Sipas tij ky projekt ka rezultuar me sukses në Emiratet e Bashkuara.
“Kemi adresuar temën i sigurisë në shkolla. Po punojmë intensivisht për ngritjen e një sistemi digjital për kontrollin e çdo shkolle e klase me kamera inteligjente të rrugëve. Po punojmë prej një viti për këtë projekt me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, ku ky sistem është realizuar me sukses të jashtëzakonshëm në aspektin e sigurisë dhe uljes së bullizmit në shkolla. Kemi dakordësuara dhe volumin e financimit me mbështetje të Abu Dabit dhe së shpejti e prezantojmë publikisht projektin dhe synojmë ta përmbyllim plotësisht në harkun e 20 muajve dhe hapa pas hapi shkollat do të pajisen me këtë sistem”.
Rama tha se duhet të rishikohen edhe sanksionet për ata që shkelin rregullin e ndalimit të celularëve në shkolla.
“Kemi ndaluar telefonat në shkolla dhe është koha për të rishikuar sanksionet për shkeljet e rritjen e këtij rregulli. Rritja e psikologëve ka sjellë rezultate pozitive, të cilat do thellohen më tej në mbikëqyrjen e çdo perimetri ku prindërit do shohin gjithçka ndodh mbi procesin e mësimdhënies dhe problematikat e tyre”.
Ai akuzoi opozitën se përdor tragjedinë e 14-vjeçarit për interesa të pushtetit.
“Tragjedia e nxënësit 14-vjeçar dhe familjes së tij është shumë e madhe për t’u futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudoelite, e cila devijon përnatë, devijon çdo problem, fatkeqësi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e biznes me ndjenjat e hallet e popullit. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër e qytetarë për të kuptuar që secili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë për mbrojtjen e fëmijëve, që nis brenda mureve të shtëpisë vazhdon në muret e shkollës dhe vazhdon kudo. Përfshirë ekranet e TV ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili janë nxitës të hapur të dhunës, duke përfshirë dhe sallën e parlamentit që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitës e gjuhës së dhunës”.
Kreu i qeverisë i siguroi prindërit “që në pjesën time të frontit të bëjmë të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët nga presioni hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur cilësinë e jetës së tyre. Pres sugjerime nga prindërit për qasjen ndaj TikTok e Snap Chat, sepse nga të gjitha hulumtimet tona, janë dy burimet më pjellore të çoroditjes nxitjes së dhunës dhe akteve të bullizmit deri në tragjedi si kjo e fundit, nga e cili duhet të dalim si shoqëri dhe shtet me përgjigje sa më efektive”.