Nisur nga rasti tragjik i 14-vjeçarit në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se qeveria do të ndërmarrë një vendim sa i takon rrjeteve sociale si TikTok apo Snapchat. Këto të fundit, sipas tij janë një hapësirë online ku nisin sherret virtuale e që përfundojnë edhe me tragjedi.
Kryeministri theksoi se janë të shumta iniciativat e ndërmarra në këtë aspekt, por pa ndonjë efektivitet të lartë. Megjithatë, ai deklaroi se janë dy opsione që do merren në shqyrtim pas një konsultimi me prindër e mësues në rang vendi.
“Autoriteti i prindërve dhe mësuesve si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku s’ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, ku jo vetëm edukimi, por edhe shëndeti mendor i më të vegjëlve dhe adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje. Janë të vërteta të thjeshta me të cilat nuk bien të gjithë dakord si prindër apo si qytetarë dëshmitarë të botës së sotme, ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësi e përparësive tona. Por nuk janë kaq të thjeshta përgjigjet e duhura në këto kushte, ku shumë shtete po përpiqen me filtra mbrojtës, por pa ndonjë rezultat domethënës.
Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike në kërkimin e zgjedhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm. Faktikisht janë marrë iniciativa të ngjashme ku në Australi po tentohet ndalimi i aksesit në rrjete sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç apo Spanja ku u vendos fillimisht që fëmijët deri në 14 vjeç të mos hapin dot llogari online e që tani është bërë deri në 16 vjeç. Problem mbetet mungesa e një sistemi të zbatimit të tyre si rezultat i disa vështirësive teknike. Tani dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave ku në fakt nga eksperiencat e deritanishme mësojmë se efektiviteti është i ulët ndërkohë që stimujt e dhunës vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok e pse jo të Snapchat-it në territorin e Shqipërisë. Do e hedhim në diskutim të gjerë nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh e kompleks”, deklaroi kreu i qeverisë.